Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Përkujtohet 147-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pika kulmore e Rilindjes Kombëtare

 
   

Përvjetori i 147-të i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është përkujtuar të martën me akademinë solemne të mbajtur në këtë kompleks muzeor, me ç’rast autoritetet nga Kosova e Shqipëria kanë vënë në pah rëndësinë e kësaj ngjarjeje historike për ekzistencën e popullit shqiptar.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka bërë të ditur se Lidhja e Prizrenit ka përçuar porosinë në botë kundër copëtimit të trojeve shqiptare.

Më 10 qershor 1878, burrat e kombit u mblodhën në këtë qytet për ti thënë botës: ne jemi shqiptarë, kemi tokën tonë, gjuhën tonë, kulturën tonë dhe nuk pranojmë të copëtohemi”, ka thënë Totaj.

Sipas tij, kjo lidhje ka qenë një projekt strategjik që ka bashkuar shqiptarët dhe rrjedhimisht ka frymëzuar angazhimet e mëtejme për liri e pavarësi.

“Lidhja e Prizrenit nuk ishte vetëm një organizim politik, ishte zgjim i identitetit tonë. Projekti i parë strategjik për bashkimin e shqiptarëve, një ngjarje që i parapriu dhe frymëzoi pavarësinë, lirinë dhe vet ekzistencën tonë si popull në këtë pjesë të Evropës”, ka deklaruar Totaj, raporton Telegrafi.

Në të njëjtën kohë ka shtuar se trashëgimia e LSHP-së duhet të shfrytëzohet për përballje me sfidat aktuale dhe unitet në veprime.

“Sot, Lidhja e Prizrenit na fton të jemi krenar për të kaluarën, por të jemi të përgjegjshëm për të tashmen dhe vizionar për të ardhmen”, ka thënë Totaj.

Ndërsa kryeministrit në detyrë, Albin Kurti ka pohuar se takimi në këtë hapësirë është bashkim për ta përkujtuar Lidhjen dhe për tu rigjallëruar nëpërmjet trashëgimisë së saj.

“Organizata Lidhja Shqiptare me seli në Prizren është pika më kulmore e Lëvizjes së rilindjes kombëtare shqiptare. Ajo është rilindje kombëtare në akt politik”, është shprehur Kurti, raporton Telegrafi.

Sipas tij ndonëse Lidhja është shtypur, fryma e saj ka mbetur e gjallë.

“Pavarësisht shtypjes së LSHP-së si organizatë, ajo ka mbetur e gjallë si shembull qëndrimi dhe misioni në historinë e përpjekjes së shqiptarëve për jetësimin e vullnetit të tyre legjitim politik, si një projekt afirmativ dhe për paqe”, ka thënë Kurti.

Ndërkaq presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka theksuar se Lidhja ka lindur si nevojë jetike për ti mbrojtur trojet shqiptare.

Lidhja e Prizrenit shënoi një moment të rëndësishëm në historinë e shqiptarëve, ishte lëvizja e parë e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake, që prej kohës së Skënderbeut”, ka thënë Begaj.

Sipas tij, afër një shekull e gjysmë më vonë, synim është integrimi evropian.

Sot në një realitet krejt të ndryshëm nga ai i vitit 1878, Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të një kombi, që ecin përpara krah për krah, në rrugën e integrimit evropian. Të jemi pjesë e Evropës së bashkuar është vazhdim i natyrshëm i aspiratës që shqiptarët shprehën në Lidhjen e Prizrenit”, ka deklaruar Begaj.

Kumtesa shkencore për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit është prezantuar nga Selim Bezera.

Aktivitetet për shënimin e 147-vjetorit të LSHP-së po vazhdojnë në Prizren.