Në njëvjetorin e vdekjes së ambasadorit Anton Berisha, nën organizimin e familjes dhe komunës së Pejës, u mbajt akademi përkujtimore. Ish-bashkëpunëtorë e kolegë, vlerësuan lart kontributin e Berishës që nga koha e studimeve, angazhimin në lëvizjen kombëtare, në organizata ndërkombëtare, në shtet-ndërtim dhe diplomaci
Familjarë, miq, bashkëpunëtorë, përfaqësues të Kishës dhe dashamirë përkujtuan ambasadorin e ndjerë Anton Berisha, me rastin e njëvjetorit të vdekjes.
Nën organizimin e familjes dhe komunës së Pejës, u mbajt akademi përkujtimore për veprimtarinë politike dhe atdhetare të Berishës.
Duke vlerësuar lartë kontributin e Anton Berishës, ish-kryeministri Ramush Haradinaj foli rreth angazhimit të tij në dy periudha të bashkëpunimit të ngushtë: në vitet e para të pasluftës për ndërtimin e institucioneve të Kosovës, si dhe më vonë si ambasador e zëvendësministër për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe avancimin e marrëdhënieve diplomatike me perëndimin.
Pasi tha se Berisha u angazhua edhe në çështje të sigurisë kombëtare, përtej detyrave të tij, Haradinaj foli me theks të veçantë për rolin e ambasadorit në raportet me Selinë e Shenjtë të Vatikanit.
“Arritëm edhe disa rezultate, ndër to ishte edhe vizita në Selinë e Shenjtë, te ati i shenjtë, bashkëbisedimi në atë kohë me sekretarin, kardinalin Parolini, po ashtu një vizitë që pasoi në Kosovë e kardinalit. Një avancim i marrëdhënieve tona deri te identifikimi i një agjende bilaterale në atë kohë, e ndërtuar në tri çështje për të ecë përpara mes nesh dhe Selisë së Shenjtë”, tha Haradinaj.
Teksa bëri një prezantim të biografisë, miku i ngushtë, ish-ambasadori Lulzim Peci foli për angazhimin e Berishës që nga koha e studimeve, përkrah Ibrahim Rugovës dhe pasluftës.
“Në lëvizjen studentore të fund-viteve të 80-ta, në veprimtarinë politike të viteve të 90-ta, në shtet-ndërtim dhe diplomaci. Dhe, mbi të gjitha, me një ideal të përbashkët, i cili ka qenë dhe mbetet, Kosova e lirë, e pavarur, demokratike dhe pro-perëndimore”, tha Peci
Pasi e quajti nxënës të Ibrahim Rugovës, miku e kolegu nga Shqipëria, ambasadori Sandër Kovaçi, tha se Anton Berisha ishte person me autoritet intelektual dhe përfaqësues model me dije kozmopolite dhe familjar i përkushtuar.
“Antoni shkëlqente sikur të ishte përfaqësues i një shteti të madh, në kuptimin e autoritetit diplomatik të raporteve, nuk kishte ndenjën e inferioritetit, por gjithmonë ishte i barabartë mbi të barabartë në raport me autoritetet sllovene, qoftë edhe me mekanizma ndërkombëtarë”-, u shpreh Kovaçi.
Në emër të familjes, pjesëmarrësit dhe organizatorët i falënderoi Genc Berisha, i biri i ambasadorit të ndjerë.
“Duke marrë parasysh se bëhet fjalë për babain tim, s’do ishte as e lehtë e as e drejtë që unë të flas për të me ton vlerësues, andaj kam zgjedhur që ky fjalim të jetë tërësisht falënderues për të gjithë ju”, tha Genc Berisha, i biri i ambasadorit të ndjerë Anton Berisha.
Anton Berisha vdiq më 2 Janar të vitit të kaluar, pas një sëmundje të shkurtër, duke lënë pas gruan dhe katër fëmijë.
Ai ishte pjesë gjeneratës së parë të ambasadorëve të karrierës të emëruar më 2009, ndërsa kishte shërbyer si ambasador i parë i Kosovës në Slloveni dhe Person Kontakti Diplomatik me Selinë e Shenjtë.
Po ashtu, Berisha kishte shërbyer edhe si zëvendësministër i Punëve të Jashtme dhe Këshilltar Diplomatik i Kryeministrit. Ka qenë edhe shef ekzekutiv i Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit në përudhën 2004-2009, dhe pjesë e Misionit të OSBE-së në periudhën 1998-2004.
Krahas ngjarjeve politike e kulturore, në vitet e 90-ta ai ishte pjesë e lëvizjes kombëtare duke marrë përsipër detyra diplomatike specifike të autorizuara nga ish-presidenti Ibrahim Rugova.

