
Analisti politik, Shkëlzen Gashi, ka reaguar ashpër ndaj një zhvillimi të fundit, duke pretenduar se Ambasada e ShBA-ve në Kosovë ka mbledhur liderët e partive opozitare për të formuar një qeveri të re, në bashkëpunim edhe me Listën Serbe.
Në një postim në Facebook, Gashi ka theksuar se ky hap bie ndesh me vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Sipas tij, përpjekja po tentohet të justifikohet si masë për shpëtimin e aleancës ShBA-Kosovë, por në realitet, synimi është fuqizimi i ndikimit amerikan mbi Serbinë përmes lëshimeve të mëdha nga Kosova.
Postimi në Facebook:
Ambasada e ShBA-ve në Kosovë i paska mbledhë liderët e ‘partive politike opozitare’ për ta krijuar një qeveri – bashkë edhe me Listën Sërbe – në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve të Kosovës, të shprehur më 9 shkurt 2025. Këtë po tentojnë ta justifikojnë si përpjekje për ta shpëtuar aleancën ShBA-Kosovë, por, në të vërtetë, kjo është përpjekje për ta krijuar një qeveri që i ndihmon ShBA-ve për ta futë Sërbinë nën ndikimin e tyre, duke i dhënë Sërbisë nga Kosova: veriun e Kosovës, asociacionin e komunave me shumicë sërbe, statusin eksterritorial për kisha e manastire, e kështu me radhë.
Kujtojmë, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë, njoftoi të premten Ambasada amerikane në Prishtinë.
Në një njoftim në Facebook, Ambasada tha se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.