Aktuale

Përplasi për vdekje në gjendje të dehur 2 fëmijët, shoferi me skedë të ‘zezë’ shkeljesh, e ‘falën’ kur e kapën 2 herë

Përplasi për vdekje në gjendje të dehur 2 fëmijët, shoferi me skedë të ‘zezë’ shkeljesh, e ‘falën’ kur e kapën 2 herë me shpejtësi brenda vitit, pezullohet zinxhiri drejtues në Policinë e Durrësit
Ishte 51 vjeç kur shënoi shkeljen e parë rrugore. Në vitin 2020, Nikoll Radaçi, është ndëshkuar nga policia Rrugore, për parakalim të gabuar. Dy vite më pas, edhe dy shkelje të tjera të rënda që e njollosin historikun e tij si shofer. Në 2022-ën, Policia tha zyrtarisht se Nikoll Radaçi, është konstatuar me shpejtësi tej normave të lejuara të qarkullimit rrugor, dy herë brenda të njëjtit vit.

Për tejkalimin e shpejtësisë, në të dy rastet, ai është ndëshkuar edhe me pezullim të lejes së drejtimit, me nga 1 muaj. Katër vite më pas, sot 57-vjeçar, ky shofer përfundon në pranga dhe në kurriz mban tragjedinë e humbjes së jetës së dy të miturve, në Durrës, në zonën e ish-kënetës, ku ai jeton dhe vetë. Makinën po e drejtonte në gjendje të dehur, në nivele alarmante të alkoolit, 0.70 mg/litër.

Policia kthehet vite pas, për të zbuluar nëse ndaj tij, blutë, kanë bërë tolerime. Drejtoria e Standardeve Profesionale nisi një hetim disiplinor për të vlerësuar nëse ka apo jo përgjegjësi në radhët e punonjësve të Policisë, për këtë rast Në fakt, kodi rrugor është i qartë dhe nxjerr në pah shkeljen e ligjit nga Policia e Durrësit.

Detajet

Sipas Nenit 140 të Kodit Rrugor, pezullimi 1 deri në 3 muaj i patentës caktohet vetëm kur shoferi është kapur për herë të parë në tejkalim të shpejtësisë. Por nëse ajo përsëritet sërish brenda 2 viteve, atëherë periudha e pezullimit zgjatet nga minimalisht 8 muaj, në 18 muaj. Por, në rastin e Nikolla Radaçit tejkalimi i shpejtësisë, ndodhi 2 herë brenda 1 viti. Qartazi Policia e Durrësit e ka favorizuar 57-vjeçarin duke i pezulluar patentën 1 muaj edhe në herën e dytë, në kundërshtim të masës që parashikon neni 140 i Kodit Rrugor, deri në 18 muaj pezullim të lejes së drejtimit.

Aksidenti tragjik megjithatë nuk kaloi pa pasoja në radhët e bluve. Drejtuesi i Policisë së Shtetit, Skënder Hita pezulloi të gjithë zinxhirin drejtues në Policinë e Durrësit. Me motivacionin e një performance të dobët në përmbushjen e detyrave, kryepolici Hita, pezulloi drejtorin e policisë në Durrës, Afrim Tafa, zv/drejtorin për rendin dhe sigurinë, Zija Sula, dhe shefin e policisë rrugore në qytetin bregdetar, Kreshnik Skëndo. Drejtor i policisë së Durrësit, u komandua Ervin Hodaj.

Njoftimi i plotë i policisë:

Nisur nga aksidenti shumë i rëndë i ndodhur, në qytetin e Durrësit, si pasojë e të cilit humbën jetën 2 të mitur dhe u dëmtua një tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Skender Hita, në zbatim të Rregullores së Policisë së Shtetit, ka pezulluar nga detyra, për performancë të dobët në përmbushjen e detyrave: -Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Drejtues Afrim Tafa;-Zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike të DVP Durrës, Kryekomisar Zija Sulaj; -Shefin e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Durrës, Kryekomisar Kreshnik Skëndo. Gjithashtu, menjëherë pas ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi Drejtorinë e Policisë Rrugore për të ngritur një grup ekspertësh të cilët shkuan në vendngjarje për të analizuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit. Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për të vlerësuar nëse ka apo jo përgjegjësi në radhët e punonjësve të Policisë, për këtë rast.

Të Ngjashme