Lajme

‘Përplasja’ me Kurtin, publicisti kritikon Osmanin: Ishte reagim për keqardhje, një presidente juriste duhej të ishte më e…!

Zhvillimet e fundit politike në Kosovë kanë rikthyer në qendër të debatit publik raportet mes Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrit Albin Kurti. Veprimet dhe deklaratat e fundit të Osmanit, veçanërisht vendimi për shpërndarjen e Kuvendit dhe qëndrimet kritike ndaj qeverisë, kanë shkaktuar reagime të forta në skenën politike dhe kanë ngritur pikëpyetje mbi arsyet e ndryshimit të qasjes së saj ndaj ekzekutivit.

Kjo përplasje institucionale ka hapur diskutime nëse Kosova po hyn në një fazë të re tensioni politik, ndërkohë janë përmendur edhe ndikimet e faktorëve të jashtëm, përfshirë raportet e saj me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Në këtë kontekst, shtrohet pyetja nëse këto zhvillime janë rezultat i kalkulimeve politike të brendshme apo pjesë e një dinamike më të gjerë rajonale që mund të ndikojë në stabilitetin institucional të vendit.

E për këtë temë për “Bota sot” foli publicisti Lis Bukuroca, i cili u shpreh se deklaratat e Osmanit ishin emocionale dhe jokonstruktive.

Në këtë pikë, ai tha se për faktin se është juriste, nga Osmani pritje të kishte qasje më të matur.

“Reagimi dhe deklarata e presidentes Vjosa Osmani ishte tepër emocionale, shumë e ashpër, aspak diplomatike dhe jo konstruktive. Ishte për keqardhje, sepse nga ajo nuk e prisja kurrë një reagim të tillë. Ajo është juriste dhe intelektuale, prandaj pritej që të kishte një qasje më të matur dhe më institucionale.

Sipas Kushtetutës, konkretisht nenit 86, Kuvendi shpërbëhet vetëm pas dështimit të raundit të tretë të votimit. Në këtë rast, procesi nuk u përmbyll në mënyrë të plotë, sepse opozita nuk mori pjesë në votim në mënyrë që të përfundonte procedura kushtetuese”.

Image
Lis Bukuroca

Krahas kësaj, Bukuroca përmendi edhe faktin se si Osmani nuk u angazhua për të siguruar mbështetje parlamentare edhe për një mandat.

Kurse, sa i përket ndryshimit të qasjes së saj në raport me Kurtin, nuk e hodhi poshtë mundësinë, që këtu të ketë ndikuar edhe Rama.

Për këtë, ai vuri në pah edhe kalkulimet e mundshme politike.

“Një tjetër element që bie në sy është fakti se ajo vetë nuk ndërmori hapa për të siguruar mbështetjen e nevojshme parlamentare. Në politikë nuk është e zakonshme që një kandidat të presë që të tjerët ta propozojnë dhe ta votojnë pa ndërtuar më parë vetë mbështetjen politike. Një kandidat serioz zakonisht përpiqet të sigurojë paraprakisht mbështetjen e deputetëve dhe pastaj të hyjë në procesin e votimit.

Nuk mund të përjashtohet as ndikimi i faktorit të jashtëm politik. Në këtë kontekst, shumëkush e përmend edhe rolin e kryeministrit shqiptar Edi Rama. Rama shpesh përpiqet të paraqitet si faktor stabiliteti në rajon dhe, në këtë kuptim, ka ndjekur një politikë të kujdesshme ndaj faktorëve ndërkombëtarë, ndonjëherë edhe duke u distancuar nga çështjet që lidhen drejtpërdrejt me shqiptarët në rajon. Për këtë arsye, nuk është e pamundur që edhe në këtë rast të ketë pasur ndikime apo kalkulime politike”.

Më tej, publicisti foli edhe për krizën e re politike që po e pret Kosovën, derisa tha se mosmarrëveshjet mes partive e kanë sjellë vendin në një situatë të pasigurt politike.

“Sa i përket pyetjes nëse Kosova po shkon drejt një krize të re, në fakt mund të thuhet se tashmë kemi hyrë në binarët e një krize politike. Derisa të merret vendimi i Gjykatës Kushtetuese, vendi mbetet në një situatë krize institucionale. Edhe pas këtij vendimi, ka gjasa që kriza të vazhdojë, vetëm në një formë tjetër.

Shkaku kryesor është pamundësia e partive politike për t’u pajtuar rreth një kandidati të përbashkët. Kjo mosmarrëveshje e vazhdueshme e ka bllokuar procesin dhe e ka futur vendin në një situatë të pasigurt politike”, shtjelloi Bukuroca.

Ndër të tjera, ai shtoi se, nëse shkon vendi sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme, kriza do përsëritet sërish, pasi konsideron se asnjë parti nuk mund t’i fitojë 80 deputetë.

Për këtë, ai tha se kompromisi politik ndërmjet partive është i domosdoshëm.

“Edhe nëse vendi shkon në zgjedhje të reja, ekziston rreziku që kriza të përsëritet. Asnjë parti nuk do të jetë në gjendje të fitojë 80 deputetë për të krijuar një shumicë të qëndrueshme. Pa një kulturë kompromisi politik ndërmjet partive, kriza të tilla mund të përsëriten edhe në të ardhmen.

Kushtetutën e kanë shkruar perëndimorët me kulturë demokratike. Te popujt me kulturë fisnore është vështirë të funksionojë plotësisht, sepse aty shpesh dominon bajraktarizmi. Opozita është ajo e vitit të kaluar dhe ndihet e rrezikuar. Liderët e saj nuk udhëheqin gjithmonë vetë, por shpesh zbatojnë qëndrime që merren jashtë partive të tyre”, përfundoi Lis Bukuroca për “Bota sot”.

Të Ngjashme