Ekspozita e Shkëlzen Gashit për masakrat në Kosovë, e cila u pezullua për shkak të pasaktësive, ka përplasur sërish deputetë të pushtetit dhe opozitës.
Rreth dy orë ka zgjatur mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, ku i ftuar ishte ministri për Vlerat e Luftës, Andin Hoti, i cili u pyet nga deputetët se cilat janë masat që janë ndërmarrë lidhur me këtë ekspozitë. Kjo ka nxitur reagimin e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët konsideruan se po bëhet politikë.
Para kësaj çështjeje, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami ka kërkuar nga ministri Hoti që si dikaster ta kenë prioritetin kryesor atë të gjykimit të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Behrami-Hotit: Numër një prioritet ta keni verdiktin për krerët e UÇK-së në Gjykatën Speciale
“Emërimi juaj si ministër dhe ju si ministri besoj që ju takon një barrë e madhe që të merreni edhe me punët e kësaj gjykate. Fillimisht sa i takon raportimit: kjo gjykatë edhe më tutje i raporton UNMIK-ut përmes EULEX-it, çdo tre muaj e bën një raport, të cilin e dërgon në EULEX, EULEX-i e dërgon në UNMIK dhe kështu e bën këtë gjykatë jo të Kosovës, por të Kombeve të Bashkuara. Dhe unë mendoj që edhe ju si ministër, edhe ne si komision është mirë që të bashkërendojmë veprimet në mënyrë që ky raportim të bëhet në Kuvendin e Kosovës, pikërisht në këtë komision, por pse jo që të jetë ministria e involvuar. Nëse dikush thotë që ligji nuk parasheh, atëherë është mirë të ndryshohet edhe ligji edhe të ketë një raportim të tillë. Analiza ime është që ne betejën politike e kemi fituar në sallën e gjyqit, ajo që na mbetet është beteja politike dhe diplomatike. Edhe në këtë rast është më shumë kërkesë: një angazhim shumë proaktiv i kësaj ministrie që ta ketë prioritet numër një në këtë fazë Dhomat e Specializuara, verdiktin për krerët e UÇK-së atje”, tha Behrami.
Tutje, Behrami tha se në rast se katërshja e UÇK-së dënohen, atëherë do të duheshin fonde për shkallët e tjera.
Behrami: Cili do të jetë angazhimi juaj para vendimit për katërshen e UÇK-së?
“Ju kisha lut si ministër i ri që të bisedoni me qeverinë që kërkesat që kanë ardhur nga mbrojtja që të paktën në këtë fazë të adresohen. Cili do të jetë angazhimi juaj konkret këta pak muaj deri tek verdikti i gjyqit për krerët e UÇK-së”, ka pyetur Behrami.
Ministri për Vlerat e Luftës, Andin Hoti deklaroi se vlerat e luftës i ka në familje.
Hoti: Unë nuk i mësoj nga askush vlerat e luftës, i kam në familje
“Unë as nuk i mësoj prej kurkujt dhe as nuk i kam mësuar prej kurkujt dhe as nuk jam mësuar prej kurkujt çka janë vlerat e luftës çlirimtare. Unë jam rritur me to, jam lindur me to dhe jetoj me to. I kam në familje, brenda një shtëpie i kam të gjitha, qoftë heroin, qoftë dëshmorin, qoftë veteranin, qoftë të zhdukurin. Kështu që unë nuk i mbroj ato pse e kam obligim të punës, por sepse i kam obligim moral dhe kombëtar timin – vlerat e luftës çlirimtare”, u përgjigj Hoti.
Ai tha se beson që shumë shpejt ata që gjykohen në Hagë do të kthehen të lirë.
Hoti: Departamenti për Dhomat e Specializuara nuk është në ministrinë time
“Unë jam i prirur në radhë të parë të mendoj që siç e kam thënë 100 herë në media dhe Dhomat e Specializuara do të përfundojnë shumë shpejt dhe të gjithë ata që janë padrejtësisht në Hagë do të dalin të lirë shumë shpejt dhe unë e besoj këtë pavarësisht verdiktit të kësaj drejtësie që unë nuk e quaj drejtësi, do të ndodhë. Çkado që është në kompetencë të ministrisë sime natyrisht që do të jetë në dispozicion të secilit për mbrojtjen e luftës çlirimtare. Por, departamenti që merret me Dhomat e Specializuara është në Ministrinë e Drejtësisë, nuk është tek unë”, u përgjigj Hoti.
Ndërsa, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj e ka pyetur ministrin Hoti lidhur me veprimet që janë ndërmarrë për ekspozitën e Shkëlzen Gashit, të cilës për shkak të pasaktësive iu hoqën tabelat disa ditë pas.
Zemaj: Cili ka qenë financimi që ka bërë shteti për ekspozitën e Shkëlzen Gashit?
“Është një devijim që konsiderohet i qëllimshëm ose i paqëllimshëm, por që duhet të vërtetohet në aspektin institucional. Kjo përgjegjësi u takon juve si kategori e re institucionale, mbrojtja e vlerave të luftës çlirimtare. Mua më intereson, sepse kam menduar që do të kemi edhe material paraprak të shohim se cili ka qenë financimi i shtetit rreth kësaj ekspozite ose librave që sot përfolen, një ndër librat që ekziston pjesa faktike e financimit nga Ministria e Punëve të Jashtme, ku është shpërndarë, tek kush është shpërndarë, cili ka qenë qëllimi, a ka pasoja nga këto devijime historike, të cilat janë të dhimbshme, sepse ka të bëjë me ngjarje tragjike të luftës që flitet për masakra, evidentimin e numrit të njerëzve, familjarëve edhe gjithçka që lidhet që është temë edhe sensitive dhe është çmimi që e ka paguar populli shqiptar për liri dhe pavarësi, sidomos në luftën e fundit. Mua më intereson jo interesimi yt, por veprimet tuaja në kompetencën, të cilat vijnë”, tha Zemaj.
Ministri Hoti tha se do të hartohet Ligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës Çlirimtare.
Hoti: Unë jam ndër të parët që kam reaguar për ekspozitën në shesh
“Ajo çka ka ndodhë në dy javët e fundit dhe me keqardhje më duhet ta them është krijimi i opinionit publik se kinse ministria që unë udhëheq pavarësisht emërtimit që e ka dhe tash ua shpjegoj pse ka një lloj përgjegjësie në raport me atë që ka ndodhur në ekspozitën në shesh. Më lejoni t’ju tregoj që në Republikën e Kosovës, mekanizmat dhe institucionet janë të ndara në fushëveprimtari, rrjedhimisht mekanizmi ose institucioni, i cili bën përmbledhjen historike, nuk jam unë është Instituti i Historisë. Institucioni që bën verifikimin e fakteve, është Instituti për Krimet e Luftës. Ministria e ka për mandat reagimin, mbrojtjen e vlerave të luftës, reagimin kur ato cenohen. Dhe çfarë kam bërë unë është nuk po them që jam i pari, por ndër të parët që kam reaguar për ekspozitën që ka qenë në shesh. Çfarëdo që kam bërë, i kam bërë thirrje Prokurorisë”, u përgjigj Hoti.
Zemaj tha se roli i tij nuk është vetëm për të reaguar, por për të marrë masa politike. Debat më pas ka vijuar mes kryetares së Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Fatmire Mulhaxha- Kollçaku dhe deputetit Zemaj.
Debatojnë deputetja e VV-së Mulhaxha- Kollçaku dhe Zemaj i LDK-së
Mulhaxha-Kollçaku: A ke kërkuar përgjigje institucionale prej kryetarit të Komunës për dhënien e lejes për vendosjen e kësaj ekspozite. Dhe dy: nga anëtari juaj i kryesisë që e ka votuar buxhetin edhe arsyetohet se nuk e ka ditur kush është autori. Po nuk e ka ditur pra përmbajtjen është dashur të interesohet për përmbajtjen e jo për autorin.
Zemaj: Aq shumë i banalizon ti temat e çështjet emocionale historike i përkthen në çështje teknike. Kush është teknik me dalë me vendos një pano ose diçka. Kjo është për keqardhje.
Mulhaxha-Kollçaku: Për keqardhje je edhe ti që po bën politikë vazhdimisht me këto tema dhe po e ndërlidh aty ku s’duhet”.
I mbijetuari i masakrës së Dubravës, njëherësh edhe deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Nait Hasani ka reaguar ashpër ndaj ekspozitës së Shkëlzen Gashit. Ai tha se “mashtruesi duhet të gjykohet për keqpërdorim”.
Hasani tha se iniciatori i kësaj ekspozite i ka mashtruar të gjithë, për çka tha se është fyerje për ata që kanë përjetuar masakrën në burgun e Dubravës.
Hasani: Mashtruesi duhet të gjykohet për keqpërdorim
“Mashtruesi duhet të gjykohet për keqpërdorim dhe për vepër penale, sepse na ka terrorizuar dhe neve. 960 të burgosur kemi qenë. Diku 700 të burgosur jemi të gjallë sot, ka mundur të shkojë në Dubravë, është e hapur dera ta shoh lapidarin, emrat e secilit, pllakën aty, sa janë të vrarë, sa janë të plagosur, sa të mbijetuar. Ai nuk e ka bërë, ka mundur të vie te ju, ka mundur të shkojë te Shoqata e të Burgosurve, ka mundur të shkojë te Këshilli i të Drejtave të Njeriut. Të gjitha ka mund t’i bëjë, por personi në fjalë është i ekspozuar nga viti 2002 është kundër UÇK-së. Mua nuk më intereson a është kundër Hashim Thaçit, a individit, për individ le të jetë kundër, por si vlerë.. 1:22:39 Krejt Kryesinë e Kuvendit e ka mashtruar, vetëm Donikën nuk ka mundur ta mashtrojë, këtu është problemi. Sepse, është në strategji të njëjtë, në zhvillim të politikave të njëjtë, në angazhim të njëjtë kundër luftës së UÇK-së”, u shpreh ai.
Diskutimi i deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albana Bytyqi lidhur me ekspozitën ka nxitur sërish reagimin e kryetares së komisionit, Fatmire Mulhaxha- Kollçaku.
Bytyqi: Donika Gërvalla e ka paguar ekspozitën, gjithmonë ka qenë kundër vlerave të UÇK-së
“Pak a shumë ne kemi marrë informacione se kush e ka paguar këtë. E dimë që Donika Gërvalla e ka paguar që gjithmonë ka qenë kundër vlerave të UÇK-së.
Mulhaxha-Kollçaku: Kjo është gabim nga ana jote, ti me bo këso konstatime ti duhesh përgjegjësi publike me dhënë.
Bytyqi: Unë veç po flas asgjë. Unë po them ajo ka thënë kështu. Pikërisht në këtë formë e ka thënë nuk e di sa po ju përshtatet juve”, tha Bytyqi.
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për të Drejtat e Njeriut u votua edhe për shpalljen e konkursit për Avokatin e Popullit.
