Shëndetësia

Pesë pije që ulin tensionin e lartë

Hipertensioni konsiderohet si një nga sëmundjet kronike më të zakonshme dhe prek miliona njerëz në mbarë botën, duke rritur rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare dhe goditjes në tru. Edhe pse një dietë e shëndetshme dhe ushtrimet fizike janë thelbësore për menaxhimin e presionit të gjakut, ekzistojnë edhe pije të caktuara që, sipas kërkimeve shkencore, mund të kontribuojnë në trajtimin e hipertensionit.

5 pije që janë aleate për hipertensionin

1. Çaj

Çaji jeshil dhe ai i zi janë të pasur me polifenole (katekina në të gjelbër, teaflavina në të zi), të cilat sipas hulumtimeve duket se kanë një efekt të moderuar në uljen e tensionit të gjakut. Arsyeja është veprimi antioksidues dhe vazodilatues i këtyre pijeve, i cili kontribuon në rregullimin e tensionit të gjakut. Çaji jeshil madje duket se është pak më efektiv. Megjithatë, shkencëtarët rekomandojnë kujdes ndaj konsumimit të tepërt, për shkak të kafeinës që përmbajnë. Sidoqoftë, gjëja më e kujdesshme mbetet diskutimi dhe udhëzimi nga mjeku juaj.

2.  Lëng shege

Lëngu i shegës është i pasur me antioksidantë (polifenole, flavonoide), me shumë studime që tregojnë se zvogëlon hipertensionin duke përmirësuar funksionin vaskular dhe duke zvogëluar stresin oksidativ.

3. Lëng rrushi të zi

Është gjithashtu i pasur me polifenole dhe sipas hulumtimeve ka efekte pozitive në uljen e presionit të gjakut, kryesisht përmes vetive të tij antioksiduese. Përfitimet e tij janë më pak të theksuara krahasuar me lëngjet e tjera, por prapëseprapë konsiderohet një pije e dobishme.

4. Qumësht

Qumështi pa yndyrë është një burim i mirë kalciumi, kaliumi dhe proteinash, lëndë ushqyese që studimet sugjerojnë se mund të ndihmojnë në rregullimin e presionit të gjakut. Shumë studime e kanë lidhur konsumin e produkteve të qumështit me pak yndyrë me ulje modeste të presionit të gjakut.

5. Uji

Edhe pse pijet e mësipërme konsiderohen aleatë të rëndësishëm në uljen e hipertensionit, ekspertët theksojnë se uji mbetet gjithmonë zgjedhja më e mirë për hidratim, me përfitime të shumëfishta për trupin tonë. Hidratimi i mirë është gjithashtu thelbësor për shëndetin e zemrës, dhe për rrjedhojë për menaxhimin e qetë të hipertensionit.

Hidratimi nuk ka pse të jetë i ndërlikuar. Disa këshilla që mund të provoni përfshijnë:

  • Mbani gjithmonë me vete një shishe uji dhe ndiqni një rregull të thjeshtë: Mos e lini të zbrazet më shumë se gjysmën para se ta mbushni përsëri.
  • Nëse nuk ju pëlqen uji i thjeshtë, shtoni disa copa frutash ose një fetë limoni.
  • Ushqimet që hani gjithashtu luajnë një rol në hidratim. Përfshini ushqime hidratuese, të tilla si frutat, perimet ose smoothiet, në dietën tuaj të përditshme.

Të Ngjashme