
Arrestimi i pjesëtarit të Njësisë Speciale, nga IPK japin detaje
Një zyrtar policor me detyrë në Njësinë Speciale Operative të Policisë së Kosovës është arrestuar mbrëmë në Mitrovicë, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe bashkëpunim me persona të përfshirë në aktivitete kriminale.
Burime nga organet e hetuesisë bëjnë të ditur se i arrestuari është Murat Latifi, i cili dyshohet se ka pasur lidhje të vazhdueshme me familjen Gerbeshi – familje që aktualisht është nën hetim për veprimtari të jashtëligjshme. Sipas dyshimeve fillestare, Latifi ka ofruar ndihmë dhe informata për këtë familje, ndërsa në një rast ka transportuar me veturën e tij një nga të dyshuarit, duke i mundësuar shmangien e arrestimit. Po ashtu, dyshohet se ka kryer edhe veprën penale të “Zbulimit të fshehtësisë zyrtare”.
Hetuesit e Inspektoratit Policor kanë zhvilluar bastisje edhe në shtëpinë e tij në Vushtrri, ndërsa me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, ndaj Latifit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Ndaj tij është iniciuar procedurë penale për veprat: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ndihmë kryerësve pas kryerjes së veprës penale” dhe “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”.
Hetimet pritet të vazhdojnë edhe me veprime të tjera ligjore, ndërsa IPK ka rekomanduar suspendimin e tij nga detyra deri në përfundim të procedurave.