Janë zbardhur dëshmitë e dy personave të përfshirë në plagosjen që ndodhi mbrëmjen e së enjtes, më 5 mars, në Shkodër. Shtetasi Genc Hoxha, i cili mbeti i plagosur lehtë në këmbë, dhe pronari i servisit Izvin Gucija, i cili dyshohet si autori i plagosjes, kanë dhënë versionet e tyre para policisë.
Sipas hetimeve, gjithçka ka nisur për 10 mijë lekë të vjetra, megjithëse të dy palët kishin njohje me njëri-tjetrin. Hoxha kishte shkuar në servisin e Gucisë për të riparuar grupin e timonit të automjetit. Pronari i servisit i tha se nuk kishte grup të ri dhe kishte vetëm një të përdorur. Pas diskutimeve, Hoxha i pagoi 10 mijë lekë të vjetra për kontrollin e kryer.
Sipas Gucisë, gjatë daljes nga servisi, Hoxha e fyeu duke i thënë “përse më sheh”, por pronari i servisit ruajti qetësinë për shkak se ishte agjërueshëm.
Mbrëmjen e djeshme, një ditë pas debatit, dy personat u takuan sërish vetëm pak metra larg servisit, në një rrugicë. Autori i dyshuar Gucija deklaron se Hoxha e fyej sërish dhe tentoi ta godasë me sende të forta, duke e detyruar të nxjerrë pistoletën dhe të qëllojë në këmbën e tij si vetëmbrojtje, pa qëllim për ta vrarë.
Nga ana tjetër, i plagosuri Hoxha mohon çdo fyerje dhe pretendon se autori nxori pistoletën papritur gjatë një sqarimi normal.
Policia e Shkodrës ka sekuestruar pistoletën e përdorur dhe një gëzhojë nga vendngjarja. Autori e dorëzoi armën menjëherë pas arrestimit, pranë banesës së tij. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
