Një oficere burgu në Mbretërinë e Bashkuar është vënë nën akuzë pasi dyshohet se ka krijuar marrëdhënie intime me të burgosur dhe ka futur lëndë narkotike brenda institucionit penitenciar. Bëhet fjalë për Kayleigh Robson, 29 vjeçe, ish-punonjëse e burgut HMP Peterborough, e cila u paraqit në Gjykatën e Kurorës në Cambridge.
Sipas prokurorisë, Robson dyshohet se gjatë rreth nëntë muajve ka shkelur rëndë detyrën duke krijuar marrëdhënie të papërshtatshme me disa të burgosur. Ajo akuzohet gjithashtu për futjen e kanabisit dhe duhanit në burg, si dhe për përfshirje në skema pastrimi parash përmes transfertave bankare.
Në të njëjtën çështje janë përfshirë edhe tre burra: Adam Hussain, 28 vjeç, Ashley Neal, 30 vjeç dhe Roy Shalliker, 67 vjeç, të cilët akuzohen për bashkëpunim në futjen e kontrabandës në burg. Edhe ata kanë deklaruar pafajësi. Gjykata vendosi lirimin me kusht për të gjithë të pandehurit, ndërsa procesi gjyqësor është planifikuar për prill 2027 dhe pritet të zgjasë dy javë.

