Kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviç i është përgjigjur deklaratave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç lidhur me aleancën ushtarake mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës.
Në një konferencë për mediat, Plenkoviç tha se lloji i bashkëpunimit ushtarak nuk është aspak kundër Serbisë. Ai theksoi se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nuk kërcënojnë integritetin territorial të anjë vendi.
“Lloji i bashkëpunimitqë ekziston midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës nuk është i drejtuar kundër Serbisë. Një tezë plotësisht e sajuar që duhet të mbështesë narrativën e një kërcënimi të jashtëm në nivelin politik të brendshëm. Kroacia është anëtare e BE-së dhe NATO-s. Neve, si Shqipëria apo Kosova, nuk na shkon ndërmend të kërcënojmë integritetin territorial të askujt”, është shprehur Plenkoviç, sipas mediave vendase.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha të enjten se Beogradi po monitoron nga afër bashkëpunimin ushtarak midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, duke pretenduar se Serbia po përgatitet për një sulm të mundshëm.
“Ata po presin një moment të favorshëm. Ne po përgatitemi për sulmin e tyre”, tha Vuçiç në një intervistë me Radio Televizionin e Serbisë (RTS).
Ai komentoi edhemarrëdhëniet me Kroacinë, ku akuzoi Zagrebin se është përpjekur të minojë Serbinë dhe se ka ndërhyrë në punët e brendshme.
