Lajme

Plenkoviq: Raketat hipersonike të Serbisë shërbejnë për sulme me rreze të gjatë në tokë

Kryeministri i Kroacisë,Andrej Plenkoviq ka thënë se raketat hipersonike që ka blerë Serbia nuk shërbejnë për mbrojtje kundërajrore, por për sulme me rreze të gjatë ndaj objektivave në tokë.

Ai ka thënë se njoftimi i NATO-s për këtë kërcënim është procedurë e rregullt.

Plenkoviq në një postim në X ka thënë se shteti i tij nuk ka pretendime ndaj asnjë shteti duke shtuar se dëshiron raporte të mira me fqinjët.

“Kroacia nuk ka asnjë interes të përzihet në çështjet e brendshme të Serbisë, e aq më pak të jetë ndonjë kukulltar që tërheq fijet prapa skenës dhe të nxisë protesta. Përkundrazi, synimi ynë janë marrëdhënie të qëndrueshme në fqinjësi. Në këtë kuptim, nga Serbia presim të tregojë një dëshirë të sinqertë për mbrojtjen e të drejtave të pakicës kroate në Serbi, ashtu siç Kroacia është sinqerisht e përkushtuar kur bëhet fjalë për pakicën serbe në Kroaci. NATO është aleanca ushtarake më e fuqishme në histori dhe Kroacia gëzon mbrojtjen brenda sistemit të tij të sigurisë kolektive. NATO është gjithashtu një aleancë mbrojtëse dhe, si anëtare e saj, Kroacia nuk ka qëllime agresive ndaj askujt. Megjithatë, raketat hipersonike që ka blerë Serbia nuk shërbejnë për mbrojtje kundërajrore, por për sulme me rreze të gjatë ndaj objektivave në tokë. Prandaj, njoftimi i NATO-s për këtë kërcënim ndaj Aleancës është një procedurë normale dhe në bisedimet me aleatët tanë do të gjejmë një përgjigje të përshtatshme”, ka shkruar ai.

Të Ngjashme