Lajme

“Po e preke Kosovën, e preke Amerikën”- Thirrja e Shalës: Osmani presidente, Kurti të vazhdojë forcimin e sovranitetit

Anëtari i Bordit Ekzekutiv të LQSHA-së, Hafiz Shala, në një prononcim për “Bota sot” ka bërë thirrje që zgjedhja e Vjosa Osmanit për presidente të mos shihet si favor personal, por si domosdoshmëri për interesat shtetërore.

Sipas tij, Presidentja Osmani me paraqitjet e saj në arenën ndërkombëtare ka arritur të forcojë pozitën e shtetit dhe të fitojë simpati edhe nga shtete që më parë kanë pasur hezitime ndaj Kosovës.

“Ishte fat i shtetit që, në një moment historik, të ndodhte një kthesë e paparashikuar, por me fat, që Presidentja Vjosa Osmani, me paraqitjet e saj të suksesshme, të bindshme dhe shumë afirmative për vendin tonë, të fitonte simpati nga shumë shtete, qoftë edhe nga ato që kanë hezituar ta njohin, përkrahin dhe pranojnë ndryshimin e madh që ka ndodhur falë angazhimit, qëndrimit të paluhatshëm dhe mbrojtjes së interesave të Kosovës, si dhe përzënies së grupeve terroristo-kriminale serbe të dirigjuara nga Aleksandër Vuçiqi”, ka thënë Shala për gazetën “Bota sot”.

Image
Anëtari i Bordit Ekzekutiv të LQSHA-së, Hafiz Shala

Ai ka vlerësuar gjithashtu rolin e Kryeministrit Albin Kurti në shtrirjen e sovranitetit në të gjithë territorin e vendit, duke përmendur largimin e strukturave paralele dhe forcimin e rendit institucional.

“Shtrirja dhe forcimi i sovranitetit në tërë territorin është meritë edhe e Kryeministrit Albin Kurti, i cili edhe njëherë u vërtetua në mënyrë plebishitare me votën e sovranit, duke marrë mbi 51% të votave të përgjithshme. Largimi i strukturave paralele me zyrat e tyre “legjitime të Serbisë” në territorin e një shteti sovran, të cilat ndërhynin dhe pengonin punët dhe udhëheqjen e shtetit, gjithnjë me pretendimin se një ditë Serbia “do ta detyrojë Kosovënë ta realizojë planin ogurzi” në bashkëpunim me ish-udhëheqës që ishin mercenarë të hapur të xhelatit që ushtroi gjenocid — madje disa prej tyre janë në proces gjyqësor në Hagë — dhe që tentonin t’i amnistonin ato krime për t’i shpëtuar këtij procesi që po përpiqet të zbardhë të vërtetat, të cilat nuk kanë asgjë të bëjnë me luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). U vërtetua edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me në krye Presidentin Donald J. Trump, i cili, duke vlerësuar heroizmin dhe përparimet e shtetit në të gjitha aspektet, si dhe falë prezantimit të suksesshëm të Presidentes Vjosa Osmani, e cila në njërën nga seancat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e sfidoi Aleksandër Vuçiqin duke sjellë në vëmendje edhe viktimat e dhunimit, ndikoi që miku ynë, SHBA-të, të ndërmerrte hapa konkretë dhe praktikë — përfshirë inkuadrimin e Republikës së Kosovës në Bordin e Paqes, një nismë e OKB-së e realizuar pa “aminin” e Rusisë dhe Kinës”, është shprehur ai.

Sipas veprimtarit Shala, është me shumë vlerë që Kryeministri Albin Kurti realizoi me përpikëri dhe respekt të gjitha kërkesat e SHBA-ve, që nga ndihmat për Gazën e deri te dërgimi i forcave të FSK-së, shumë të përgatitura për operacione të tilla të ushtruara në SHBA.

“U vërtetua gjithashtu se shteti funksionon normalisht, pa ndërhyrjen e Serbisë, e cila përjetoi fiasko në marrëdhëniet me SHBA-të. Simbolika e “telefonit” mes tij dhe Presidentes Osmani lë të nënkuptohet se: po e preke Kosovën, e preke Amerikën”, ka theksuar ai.

Shala ka hedhur poshtë pretendimet se një mandat i ri i Osmanit do të krijonte rivalitet institucional me Kurtin, duke i cilësuar këto si propagandë të qëllimshme.

“Propaganda qëllimkeqe se Presidentja Vjosa Osmani, nëse zgjidhet presidente, do ta anashkalojë apo do ta lërë nën hije Kryeministrin Albin Kurti, është e pabazë. Së pari, nuk besoj në një veprim të tillë, sepse do të ishte vetëvrasje politike dhe morale e Presidentes. Së dyti, absolutisht nuk ka individ në shqiptari që do ta “shkelë” z. Kurti, sepse ai ka merita të pamohueshme që askush nuk mund t’ia mohojë, bazuar në veprimet konkrete në avancimin e çështjes shqiptare, jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët¸ Prandaj, nuk besoj se znj. Osmani do t’i paramendonte veprime të tilla, sepse nuk e ka atë edukatë politike. Ajo do ta vazhdojë rolin e vet kushtetues, ndërsa Kryeministri, si menaxhues i shtetit, do të ndërmarrë veprime ekzekutive. Koordinimi mes tyre për interesa shtetërore nuk do të mungojë, siç ka rezultuar deri më tani, ku raportet ndërkombëtare japin vlerësime shumë pozitive”, ka nënvizuar ai.

Në fund, Shala ka propozuar që të merret në konsideratë edhe ndryshimi i Kushtetutës, në mënyrë që Presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, për të shmangur situata të ngjashme në të ardhmen. 

“Edhe njëherë, uluni dhe merruni vesh që t’i jepet vota Presidentes — jo për hir të saj, por për hir të shtetit — sepse ajo vërtet shkëlqeu dhe duhet të zgjidhet për ta konsoliduar vendin, gjë që i duhet më së shumti në këto momente. Mendoj se duhet të fillojë iniciativa për futjen e një amendamenti në Kushtetutë, ku Presidenti/a të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, për t’iu shmangur situatave të tilla në të ardhmen”, ka përfunduar Shala.

Të Ngjashme