Nga Tirana, ku mori pjesë në Ministerialit për Korridorin VIII, ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani theksoi se po punojnë fort për të bërë pjesë të BE-së edhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në një deklaratë të përbashkët me ministrjen e Jashtme Elisa Spiropali dhe ministrat e vendeve të tjera që ishin të pranishëm, Tajani theksoi se Ballkani është i rëndësishëm për stabilitetin, paqen dhe për një Evropë sa më të fortë dhe të qëndrueshme.
Ai theksoi se duhet të bëjnë hapa të mëtejshëm konkretë për zbatimin e punës së Korridorit VIII, që e cilësoi me rëndësi strategjike.
“Ne kemi miratuar këtë deklaratë të përbashkët sepse duhet të hapim rrugën për hapat e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet vendeve për zbatimin e punës në këtë korridor, se Korridori VIII është një nga aspektet më të rëndësishme evropiane. Duhet të punojnë në këtë drejtim për rëndësinë strategjike që ka ky projekt. Kjo është thelbësorë për transportin rrugor, hekurudhor por edhe për mbrojtjen evropiane dhe të NATO-s.
Për këto arsye duhet përshpejtuar ky proces, thelbësore edhe për zgjerimin e BE. Po punojmë fort dhe për anëtarësimin e plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Korridori VIII është pjesë e një rëndësie të madhe dhe strategjike për Italinë. Për këtë arsye, Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm për ne, stabilitetin, paqen dhe rritjen ekonomike dhe për të pasur një Evropë sa më të fortë më shumë se kurrë më parë”, u shpreh Tajani.
