Lajme

Poeti Lulzim Tafa nderohet në Tel Aviv të Izraelit

Në Ditën Ndërkombëtare të Frymëzimit të mbajtur në Tel Aviv të Izraelit, poeti kosovar me famë botërore, Lulzim Tafa, u nderua për kontributin e tij të rëndësishëm për paqen dhe humanizmin përmes veprës së tij letrare.

Kjo ngjarje, e cila mblodhi së bashku figura të shquara nga komuniteti botëror i artit dhe kulturës, vlerësoi ndikimin e thellë të Tafës në botën e poezisë dhe përkushtimin e tij për kauzat humanitare.

Njëri nga organizatorët e Ditës Ndërkombëtare të Frymëzimit në Tel Aviv, në fjalën e tij e çmoi punën e poetit Lulzim Tafa, duke vënë në dukje lidhjet e thella që ai ka krijuar me poetët izraelitë.

“I nderuar profesor Lulzim Tafa, sot po zhvillojmë një aktivitet të rëndësishëm të poezisë nën titullin Dita Ndërkombëtare e Frymëzimit dhe kemi nderin të përfshijmë poezinë tuaj në të, pas lidhjeve që janë krijuar mes jush dhe poetëve izraelitë që vlerësojnë shumë poezinë e juaj dhe aktivitetet tuaja humanitare”, tha në fjalën e tij njëri ndër organizatorët e kësaj ngjarjeje.

Ai përmendi rolin e dyfishtë të Tafës si një poet i dalluar dhe një humanist të përkushtuar.

Në fjalën e tij, para të pranishmëve në këtë ngjarje, ai lexoi edhe një nga poezitë e Lulzim Tafës, “I fuqishmi”, të përkthyer në hebraisht.

Lidhur me këtë ngjarje, poeti Lulzim Tafa, shprehu mirënjohjen dhe krenarinë për nderin që iu bë nga komuniteti i artit dhe kulturës në Tel Aviv.

Ai, përmes një postimi në facebook, tha se u ndje i nderuar që në sallën e mbushur përplot me figura eminente botërore të artit dhe kulturës, emri i tij dhe i Kosovës u lartësua në këtë nivel.

“Një nderim i madh qenka bërë për mua dhe poezinë time, në ditën ndërkombëtare të inspirimit, në Tel Aviv. U ndjeva i nderuar që në sallën e mbushur përplot me figura eminente botërore të artit dhe kulturës, emri im dhe i Kosovës u lartësua në këtë nivel”, shkroi poeti Tafa.



Të Ngjashme