Lajme

Polici “milioner” u arrestua me një milion euro në makinë, zbulohet detaje të reja

Të tjera detaje janë zbardhur nga arrestimi i efektivit të Policisë së Shtetit, Aurel Kaziu, i cili u arrestua nga autoritetet e Kosovës pasi iu gjet një shumë prej 1 milion eurosh të padeklaruara.

Burime të reja të bëra publike nga mediat shqiptare hedhin dritë mbi rrethanat dhe profilin e 28-vjeçarit, i cili kishte më pak se një vit që ishte emëruar si agjent krimesh në Komisariatin nr. 5 në Tiranë.

Sipas tyre, i riu dyshohet se mund të jetë nga grupe kriminale për transportimin e shumave të mëdha të parave drejt Shqipërisë.

Ajo bëri me dije se pala e Kosovës kishte siguruar informacione paraprake për lëvizjen e automjetit dhe më pas ka kryer një kontroll të detajuar me pajisje të posaçme, ku u zbulua shuma e konsiderueshme e parave, e fshehur në pjesën e poshtme të furgonit. Ende nuk është përcaktuar burimi i parave, ndërsa hetimet po fokusohen në dyshimet se ato i përkasin një grupi kriminal që operon në territorin e Kosovës dhe Shqipërisë, me qëllim pastrimin e tyre.

“I arrestuari është një polic i ri. Thuajse një vit kishte si polic. Ishte një agjent krimesh. Kishte pak kohë i fejuar, familjar. Ai mund të jetë përdorur nga grupet kriminale për transportin. I binte për rrugë tokësore nga Serbia drejt Kosovës. Pala e Kosovës kishte marrë informacione. U bë një kontroll me pajisje të tjera ku u zbuluan paratë. As pala e Kosovës, as pala shqiptare nuk janë në gjendje të zbulonin nga vinin këto para. Dyshohet se janë të një grupi kriminal që vijnë në territorin shqiptar, qoftë të Kosovës, qoftë të Shqipërisë, për pastrimin e tyre”, u shpreh mediat.

Kaziu u pezullua nga detyra një ditë pas arrestimit. Në njoftimin zyrtar, Policia e Shtetit bëri me dije se pezullimi erdhi pas nisjes së hetimit disiplinor, pasi efektivi së bashku me dy shtetas të tjerë, u kap më 24 shkurt  në fshatin Merdarë, duke transportuar 1 milion euro të padeklaruara pranë autoriteteve doganore të Kosovës.

Mësohet se 28-vjeçari ishte nisur drejt Kosovës menjëherë pas përfundimit të shërbimit, duke përfituar nga dy ditë pushim. Ai nuk kishte njoftuar eprorët për daljen jashtë territorit shqiptar, ndërsa askush në strukturat përkatëse nuk kishte dijeni për lëvizjen e tij.

Në të njëjtën kohë, burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se emri i tij është përmendur edhe më herët në dyshime për përfshirje në transport mallrash dhe emigrantësh shqiptarë drejt Mbretërisë së Bashkuar, çështje që pritet të verifikohet në vijim të hetimeve.

Së bashku me Kaziun, në pranga ranë edhe Ardit Laska dhe Etnik Ahmaxhokaj, të cilët udhëtonin me të njëjtin automjet. Zbulimi i shumës së parave u bë nga shërbimet kufitare dhe doganore të Kosovës, pas një kontrolli të detajuar që nxori në pah mekanizmin e sofistikuar të fshehjes së parave.

Hetimet vijojnë në bashkëpunim mes autoriteteve shqiptare dhe atyre të Kosovës, ndërsa pritet që ditët në vijim të hedhin më shumë dritë mbi origjinën e milionit të eurove dhe rrjetin e mundshëm kriminal që qëndron pas kësaj ngjarjeje.

Të Ngjashme