
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), realizoi sot një ushtrim të përbashkët në pjesën veriore të vendit. Ushtrimi kishte për qëllim forcimin e koordinimit dhe ndërveprueshmërisë ndërmjet dy institucioneve të sigurisë, në funksion të përgatitjes për reagim të përbashkët ndaj çdo situate emergjente.
Sipas një njoftimi zyrtar, ushtrimi ishte rezultat i një planifikimi të kujdesshëm dhe u vlerësua si një shembull i bashkëpunimit të suksesshëm mes Policisë së Kosovës dhe KFOR-it. Pjesëmarrësit demonstruan gatishmëri dhe efikasitet të lartë në ekzekutimin e skenarëve të sigurisë.
“Ky aktivitet reflekton afërsinë institucionale dhe përpjekjet e përbashkëta për të garantuar një ambient të sigurt, si dhe për të siguruar një reagim të shpejtë dhe efikas ndaj çdo sfide të mundshme në aspektin e sigurisë”, thuhet në komunikatë.
Policia e Kosovës dhe KFOR-i ritheksuan përkushtimin e tyre për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë për stabilitetin e qëndrueshëm në rajon.