Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Policia e Kosovës pranon pesë automjete speciale dhe një qen zyrtar

 
   

Njësia me qen zyrtar (K9) e Policisë së Kosovës është forcuar më tej, pas pranimit të pesë automjeteve speciale dhe një qeni zyrtar të racës Malinos Belg, dhuratë nga partnerët ndërkombëtarë.

Dorëzimi është bërë përmes një ceremonie zyrtare më 24 qershor në ambientet e Kampit Vrella, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Policisë së Kosovës, OSBE-së dhe ambasadave të Francës dhe Gjermanisë.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë dhe Ambasadat e Francës dhe Gjermanisë, përmes një ceremonie zyrtare, realizoi dorëzim-pranimin e pesë automjeteve speciale për njësinë me qen zyrtar – K9, si dhe të një qeni zyrtar të racës Malinos Belg, i dhuruar nga Ambasada e Francës”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Në këtë ngjarje morën pjesë drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, dhe zëvendësministri në detyrë Bardhyl Dobra, të cilët falënderuan partnerët për ndihmën e vazhdueshme.

Në anën tjetër, ambasadorët Gerard McGurk (OSBE), Olivier Guerot (Franca) dhe Jorn Rohde (Gjermania), gjatë fjalimeve të tyre, theksuan se:

“Rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar në fuqizimin e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë në Republikën e Kosovës, në këtë rast të njësisë K9,” është thelbësore për stabilitetin dhe sundimin e ligjit.

Ky donacion vjen në kuadër të projektit për luftimin e armëve të vogla dhe të lehta (SALW), i cili përfshin edhe mbështetje për trajnime, infrastrukturë dhe mjete logjistike për njësinë K9.”

Në fund të ceremonisë u zhvillua edhe një ushtrim praktik i njësisë K9, që sipas Policisë, dëshmon përparimin e tyre në reagim ndaj situatave të rrezikshme dhe mbështetje të operacioneve të specializuara.

“Përmes këtij bashkëpunimi janë përmirësuar ndjeshëm kapacitetet operative të njësisë K9 në fushat e parandalimit të krimit, reagimit në situata të rrezikshme dhe mbështetjes së operacioneve policore të specializuara.”