Lajme

​Policia e Kosovës shton masat e sigurisë për Festivalin “Sunny Hill 2026”

Policia e Kosovës ka hartuar planin operativ për garantimin e sigurisë gjatë Festivalit “Sunny Hill 2026”, i cili nis sot dhe do të mbahet deri më 2 gusht në fshatin Bërnicë të Komunës së Prishtinës.

Sipas njoftimit të Policisë, për mbarëvajtjen e festivalit janë paraparë masa të veçanta të sigurisë, duke marrë parasysh numrin e madh të pjesëmarrësve dhe rrethanat që e shoqërojnë këtë ngjarje.

Në kuadër të urdhrit operativ “Festivali Sunny Hill-2026”, Policia ka angazhuar numër të konsiderueshëm të zyrtarëve policorë me detyra specifike në zonën ku do të zhvillohet festivali, si dhe njësi të tjera në kuadër të rajonit të përgjegjësisë.

Masat e planifikuara përfshijnë ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike para, gjatë dhe pas festivalit, sigurimin e hapësirës së festivalit, monitorimin e situatës në terren, si dhe ndërmarrjen e veprimeve ligjore ndaj personave që mund të shkelin ligjin.

Policia ka njoftuar se do të ketë edhe kontrolle dhe menaxhim të trafikut rrugor në zonën përreth festivalit, përfshirë bllokime të përkohshme, riorientim të qarkullimit dhe kufizime të caktuara, varësisht nga nevojat në terren.

Për shkak të fluksit të madh të automjeteve dhe vizitorëve, Policia ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik, duke bërë thirrje që të shfrytëzohet transporti i organizuar nga organizatorët nga kryeqyteti drejt festivalit dhe anasjelltas.

Sipas njoftimit, qasja në zonën e festivalit do të lejohet vetëm për mjetet e autorizuara dhe personat me leje parkimi, ndërsa qytetarët do të udhëzohen nga zyrtarët policorë në pikat e përcaktuara.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se masat e ndërmarra kanë për qëllim që festivali të zhvillohet në një atmosferë të qetë dhe të sigurt, duke kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve dhe respektimin e udhëzimeve të zyrtarëve policorë.

Të Ngjashme