Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar armë zjarri, municion dhe granata dore në tri lokacione të ndryshme në veri të Kosovës, të martën.
Në një shtëpi të pabanuar në fshatin Jagnjenic, në komunën e Zubin-Potokut, rreth orës 1:20, policia ka gjetur dhe sekuestruar 95 fishekë të kalibrave të ndryshëm, një emblemë dhe disa spaleta të Policisë së Serbisë.
E rreth orës 9:20, në një shtëpi tjetër të pabanuar në fshatin Zhitkovc të komunës së Zveçanit, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë AK-47, një granatë dore M-57 prodhim jugosllav, tre karikatorë të zbrazët të AK-47, 85 fishekë të kalibrit 7.9 mm, dy uniforma ushtarake me emblema të Serbisë dhe 60 fishekë të armës AK-47.
Ndërsa rreth orës 12:20, në një shtëpi të pabanuar në Varagë, Zubin-Potok, janë gjetur dhe sekuestruar një granatë dore dhe 50 fishekë të kalibrit 7.62 mm.
“Në vendin e ngjarjes, në rastin II dhe III, kanë dalë edhe njësitë për trajtimin e mjeteve eksplozive (EOD), të cilat kanë tërhequr mjetet eksplozive në mënyrë të kontrolluar. Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rasteve për veprën penale: ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’. Lidhur me këto raste, nuk ka persona të arrestuar. Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata që të vazhdojnë të ndajnë informacione që ndihmojnë policinë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Çdo informacion mund të raportohet në numrin 192,” ka njoftuar Policia e Kosovës.
