
Policia e Kosovës ka konfirmuar raportimin e mëhershëm në lidhje me arrestimin dhe dërgimin e Nikolla Vujoviqit në Qendrën e Mbajtjes për të Huaj.
Ndërkaq, sipas njoftimit zyrtar, thuhet se është marrë vendimi për largim me forcë për Vujoviqin nga territori i Republikës së Kosovës.
“Bazuar në vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme mbi humbjen e shtetësisë me privim, ndaj personit N.V., ish shtetas i Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht edhe i Serbisë dhe pjesëtar i inteligjencës së policisë në Serbi, Policia e Kosovës, Drejtoria për Migrim dhe të Huaj, ndaj personit në fjalë ka filluar procedurat për largim me forcë nga vendi ynë”.
“Drejtoria për Migrim dhe të Huaj, ndaj personit të fjalë është duke u zhvilluar procedura bazuar në ligjet që rregullojnë këtë çështje dhe lidhur me këtë ka lëshuar vendimin për largim me forcë të personit N.V., nga territori i Republikës së Kosovës”, u tha në njoftimin e PK-së.
Po ashtu, policia bëri të ditur se deri në përfundim të këtyre procedurave, në përmbushje të kushteve për ekzekutimin e vendimit, “personit në fjalë i është shqiptuar masa e ndalimit në Qendrën e Mbajtjes për të Huaj”.
Më herët gjatë ditës, Ministria e Brendshme njoftoi se Nikolla Vujoviqit i është hequr shtetësia e Kosovës pasi i njëjti është punësuar në Policinë e Serbisë.
Sipas MPB-së, një rast i tillë rrezikon sigurinë kombëtare të vendit.