Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Policia takon drejtorët e arsimit dhe të shkollave për forcimin e sigurisë

 
   

Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës ka mbajtur sot takimin e radhës me drejtorët e shkollave të mesme dhe drejtorët e drejtorive komunale të arsimit në nivel rajonal, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe planifikimin e aktiviteteve të përbashkëta për rritjen e sigurisë në shkolla.

Takimi u mbajt në kuadër të Strategjisë së Integruar të Policimit të Drejtuar nga Inteligjenca dhe Policimit në Bashkësi dhe në përputhje me Planin e Veprimit 2021–2025, nën objektivin 2.4 “Menaxhimi i Sigurisë në Shkolla”.

“Qëllimi i takimit ishte forcimi i bashkëpunimit ndërmjet Policisë dhe institucioneve arsimore, si dhe planifikimi i aktiviteteve të përbashkëta për rritjen e sigurisë në shkolla”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Drejtori rajonal i Prishtinës, Nënkolonel Basri Shabani, prezantoi “një përmbledhje me statistika, raste dhe aktivitete policore të zhvilluara në shkolla, me krahasim të periudhës janar–shtator 2024 dhe janar–shtator 2025” si dhe “Planin Operativ ‘Siguria në Shkolla 2025/26’, i cili përfshin masat preventive dhe aktivitetet policore që do të ndërmerren në vijim”.

Policia e Kosovës dhe përfaqësuesit e arsimit riafirmuan përkushtimin e tyre për zhvillimin e një mjedisi shkollor të sigurt, duke theksuar “rëndësinë e bashkëpunimit dhe komunikimit të vazhdueshëm”.

“Policia e Kosovës mbetet e angazhuar që, përmes policimit në bashkësi dhe partneritetit me institucionet arsimore, si dhe komunitetin të sigurojë një ambient sa më të sigurt për nxënësit, mësimdhënësit dhe stafin shkollor,” thuhet në njoftim.