Policia e Kosovës ka konfirmuar ngjarjen e rëndë që ndodhi mbrëmjen e së dielës në fshatin Majac të Podujevës, ku dy persona kanë humbur jetën dhe një tjetër është plagosur rëndë. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, e dyshuara Ardita Gashi dyshohet se ka vrarë fillimisht Ilaz Brahimin dhe më pas ka plagosur rëndë gruan e xhaxhait, Miradije Gashi. Në përfundim, ajo dyshohet se ka qëlluar edhe veten.
Ngjarja u raportua rreth orës 18:40, kur njësitet policore u njoftuan për një person pa shenja jete brenda një veture në Majac. Në vendngjarje u gjet një veturë e bardhë (VW) me targa lokale dhe viktima, mashkull kosovar, i identifikuar më vonë si Ilaz Brahimi nga Obiliqi.Policia njoftoi gjithashtu se një person i armatosur ndodhej brenda një shtëpie dhe refuzonte të komunikonte, duke paraqitur rrezik për veten dhe të tjerët. Pas ndërhyrjes së Njësisë Speciale Intervenuese dhe negociatorëve, në shtëpi u gjetën dy gra të plagosura rëndë, të cilat u dërguan për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Sipas policisë, sot rreth orës 03:35, Miradije Gashi ka ndërruar jetë në QKUK, duke e çuar në dy numrin e viktimave të këtij rasti. Rasti është ricilësuar si “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, dhe trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vazhdojnë nën drejtimin e prokurorit kompetent.
