“Kurti është njeriu i Serbisë”, “punoi në bazë të udhëzimeve ose dëshirave të Rusisë dhe Serbisë”, janë disa nga akuza që i bëhen kryeministrit Albin Kurti nga ish- kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Haradinaj i cili ka qenë një nga komandatët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), gjatë luftës së viteve 1998- 1999, pas luftës i ka hyrë politikës ku në vitin 2004- 2005 ishte kryeministër, por për shkak të aktakuzës për krime lufte nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish- Jugosllavinë në Hagë dha dorëheqje, por për t’u zgjedhur përsëri në një mandat të dytë në vitin 2017- 2020.
Që nga ajo kohë, Haradinaj bashkë me partinë e tij vazhduan të jenë në opozitë, madje me akuza të rënda e të pabaza siç i quan politikani serb.
Politikani serb, Nikola Sanduloviç, për “Bota sot”, thotë se çdokush që ka kaluar torturën e regjimit të mëparshëm dhe atij aktual serb kurrë nuk bëhet bashkëpunëtor i tyre.
Sipas tij, Kurti nuk lejoi krijimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë dhe nuk duhet ta pranojë kurrsesi.
“Çdokush që ka kaluar torturën e regjimit të mëparshëm dhe atij aktual serb, kurrë nuk bëhet bashkëpunëtor i tyre, por bëhet kundërshtar i tyre i përjetshëm. Flas nga përvoja personale dhe nga pozicioni në të cilin jam viktimë e atij regjimi, dhe në të cilin viktimë ka qenë edhe vetë Albin Kurti, si dhe zonja Vjosa Osmani e cila si vajzë e re është detyruar të largohet nga Kosova drejt SHBA-së për të shpëtuar jetën. Si mundet dikush që e ka përjetuar këtë të bashkëpunojë me xhelatin e tij? A duhet të përmend se Albin Kurti nuk lejoi krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, sepse do të përsëritej e njëjta situatë dhe problem i ardhshëm si Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë. Për ata që nuk e dinë, personalisht më ka pyetur z. Albin Kurti çfarë mendoj për këtë dhe i kam thënë hapur se nëse dëshiron një problem të ardhshëm me shkëputjen e komunave të përmendura serbe, të mos pranojë kurrsesi. A pranoi ai pas takimit tonë dhe pas këshillës sime? Natyrisht që jo. Çfarë ju thotë kjo për të dhe në interes të kujt punon ai?”, thotë Sanduloviç.

Nikola Sanduloviç
Ai thotë se gënjeshtrat janë të përhapura nga diktatori serb dhe janë aq pabazë sa edhe qesharake.
Sipas tij, ata që përdorin këtë gënjeshtër tregon se ekziston një klasë politike dhe ndërmjetës politikë e mercenarë të shërbimeve serbe dhe ruse.
“Gënjeshtrat e përhapura për të nga diktatori serb flasin në favor të faktit se Albin Kurti është pengesë dhe jo bashkëpunëtor i Rusisë dhe Serbisë. Kjo gënjeshtër është aq e pabazë sa është bërë edhe qesharake. Fakti që disa e përdorin një gënjeshtër të tillë si argument kundër Kurtit, në mungesë të rezultateve konkrete në politikat që përfaqësojnë, tregon se ekziston një klasë politike dhe ndërmjetës politikë e mercenarë të shërbimeve serbe dhe ruse.
Sulmet e tyre ndaj Albin Kurti dhe Vjosa Osmani janë pikërisht ato që i kanë bërë ata një klasë politike”, shprehet politikani serb.
I pyetur rreth Milan Radoiçiqit dhe deklarimeve se gjatë qeverisjes së Ramush Haradinajt ai kishte kontroll të madh në veri si dhe informacioneve konkrete, Sanduloviç thotë se situata në veri ka ndryshuar me ardhjen e Albin Kurtit.
Sipas tij, informacionet konkrete për bashkëpunimin mes Ramush Haradinaj dhe Aleksandar Vuçiq, i cili zhvillohej pikërisht përmes Milan Radoiçiqit, i kam dhënë komunitetit të inteligjencës së SHBA-së dhe së shpejti rezultatet e këtyre bisedave
“Sa realisht ka ndryshuar situata në veri të Kosovës me ardhjen e Albin Kurti, e tregon fakti se Milan Radoiçiq tani është person në kërkim nga Interpoli dhe jo bashkëpunëtor i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili krenohej hapur se bashkëpunonte me Milan Radoiçiqin, për të cilin thuhej se vendoste për gjithçka në veri të Kosovës! Imagjinoni deklaratën e një kryeministri të cilitdo vend në botë që thotë hapur se në një pjesë të vendit të tij për gjithçka vendos një kriminel, vrasës, narkotrafikant dhe terrorist?!
Në Serbi, si dhe në Kosovë, dihej se çfarë bënte ai kriminel, vrasës dhe terrorist gjatë kohës kur bashkëpunonte me Haradinajn në veri të Kosovës. Pikërisht ndaj atyre serbëve në Kosovë që ai pretendonte se i përfaqësonte dhe për interesat e të cilëve luftonte. Kërcënime, rrahje, tortura, poshtërime dhe në fund vrasje të përfaqësuesve politikë të serbëve në Kosovë që ishin kundër politikës së Aleksandar Vuçiq, të cilët dëshironin që serbët e Kosovës të integroheshin në realitetin e pashmangshëm, që është shteti i pavarur i Kosovës. Informacionet konkrete për bashkëpunimin mes Ramush Haradinaj dhe Aleksandar Vuçiq, i cili zhvillohej pikërisht përmes Milan Radoiçiqit, i kam dhënë komunitetit të inteligjencës së SHBA-së dhe së shpejti rezultatet e këtyre bisedave të mia me ta do të marrin edhe epilogun përfundimtar”, përfundon Sanduloviç.
