Analisti politik dhe politologu Agron Hoti vlerëson se rikthimi i palëve në dialogun Kosovë–Serbi ka ardhur kryesisht si kërkesë e Bashkimit Evropian, ndërsa konstruktiviteti i palëve mbetet më shumë formal sesa substancial.
“Rikthimi në dialog ishte kërkesë e BE-së dhe këtu palët mundohen të tregojnë konstruktivitet”, ka deklaruar Hoti.
Megjithatë, ai shprehet skeptik sa i përket qasjes së Serbisë ndaj çështjes së personave të pagjetur, duke theksuar se Beogradi nuk ka interes real për zgjidhje.

Analisti politik dhe politologu Agron Hoti
“Nuk pres që Serbia të jetë konstruktive sa i përket të pagjeturve. Edhe nëse bën ndonjë lëshim, ai do të jetë tepër i vogël dhe i papërfillshëm”, ka thënë ai.
Sipas Hotit, strategjia e Serbisë është që të mbajë sa më shumë çështje të hapura me Kosovën, pasi kjo i shkon në favor në proceset politike dhe negociuese.
“Serbia do të lërë sa më shumë probleme të hapura me Kosovën, sepse në secilin variant humbës jemi ne”, ka theksuar analisti.
Ai shton se pa një zgjidhje të qartë politike për veriun e Kosovës, të shoqëruar me garanci të forta ndërkombëtare, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Serbia do të vazhdojë të mbajë qasje jokonstruktive.
“Pa u zgjidhur çështja politike në veri me garanci ndërkombëtare, sidomos të SHBA-së, Serbia do të vazhdojë të jetë jokonstruktive në çdo problem të hapur me Kosovën, përfshirë çështjen më të ndjeshme – fatin e personave të pagjetur”, ka përfunduar Hoti.
