Vetë stinët pranverë dhe verë simbolizojnë rikthimin e energjisë, ngjyrave, jetës, edhe e tillë duket të jetë edhe për vitin 2026 në botën e modës.
Ngjyra të theksura, linja të pastra, materiale që përshtaten natyrshëm me flladin e nuk qëndrojnë si një kuti në trup… këto duket se do të jenë disa nga elementet kryesore të sezonit Pranvere-verë 2026.
Më poshtë, renditen disa nga trendet që priten të dominojnë në sezonin e ardhshëm, që vënë në fokus jo vetëm ngrohtësinë e sezonit, por dhe rehatinë.
Përplasje ngjyrash
Në dukje të parë duken si të pa kombinueshme, por në fakt moda gjithmonë arrin të na habisë. Këtë vit, ngjyrat e theksuara “përplasen”, e bashkëjetojnë. Mund të bëhen kombinime mes portokallisë, lejlasë, rozës, së kuqes, e shumë të tjerave. Mjaft të tregojnë harmoninë e pranverës dhe dëshirën për t’u dukur “cool”.

Mini-xhaketa
Nëse dimri mbizoterohet nga pallto dhe xhaketa oversize, në pranverë këto të fundit do i kemi të pranishme, por në versionin e tyre mini.
Këto po tërheqin mjaft vëmendje. Gjatësitë variojnë nga pak poshtë gjoksit deri mbi vithe, e mund të kombinohen me pantallona dhe funde me bel të lartë ose të ulët.

Stina e qershive
Jo, nuk e kemi fjalën për filmin e famshëm turk, por për ngjyrën e kuqe karakterizuese të këtij fruti.
E kuqja duket se do të zërë një vend të rëndësishëm për këtë sezon, pasi dhe si ngjyrë spikati në brands të ndryshme, duke përfshirë këtu Chanel apo Ralph Lauren. Thjesht do të dukeni dominante, me vetëbesim të lartë dhe më e rëndësishmja, “chic”.

Kopsht
Miksi i ngjyrave, gjetheve, luleve, janë të domosdoshme jo vetëm këtë pranverë-verë, por në çdo sezon të tillë.
Motivi floral ka marrë një “karakter të përjetshëm” për këtë sezon, e jep idenë e rifreskimit në ditë të nxehta, pavarësisht ngjyrave të ndëzura që mund të përdoren.

Polka
Ose ndryshe pikat, sjellin elegancë dhe pak “old-money” vibes. Këtë vit ato duket se po rikthehen fuqishëm, që nga setet matchy, tek fundet, këmishat, por gjithashtu dhe në thonjë.

Pinkish
Të gjitha nuancat e ngjyrës rozë janë të mirëpritura në çdo sezon pranverë-verë.
Roza është e “martuar” me çdo ngjyrë, pasi përshtatet lehtësisht me çdo gjë. Arrin të tregojë pastërti, elegancë, delikatesë, forcë, e të gjitha falë një ngjyreje të vetme.

Aksesorët “Go big or go home”
Këtë vit është e rëndësishme që çdo aksesor që do përdorni, të jetë sa më e madhe, prezente, e dukshme.
Vëthët sugjerohen me forma abstrakte, me gurë, perlat që janë domosdosmëri. Varëset po kështu, por prezente do të jenë dhe gjerdanët.
Çantat e mëdha jo vetëm që do ju ndihmojnë të “mbani shtëpinë me vete”, por do ju bëj të dukeni sa më të sistemuar në look-un tuaj.
Mos harroni, në verë përdorimi i perlave, yjeve të detit, guackave, janë bizhuteri “jetike”.
