Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka shpërndarë të enjten Kuvendin e Kosovës.
Lajmin për këtë e dha lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. E më pas, një komunikatë për media e lëshoi edhe Presidenca.
“Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, si dhe pas pranimit sot të vendimit të Kuvendit të Kosovës lidhur me dështimin e krijimit të Qeverisë edhe nga mandatari i dytë, Presidentja e Republikës së Kosovës ka shpërndarë sot Legjislaturën e nëntë të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
I mandatuari nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca dështoi të mërkurën të formojë qeverinë e re në Kuvend, ani pse e kishte bindur presidenten Vjosa Osmani se do t’i siguronte numrat për ekzekutivin e ri.
E para e vendit, pas mandatimit të Konjufcës për kryeministër më 4 nëntor, kishte thënë se i njëjti e kishte bindur se kishte gjasa t’i siguronte votat për qeverinë e re, pavarësisht se nuk i kishte garantuar me 61 nënshkrime të deputetëve për një gjë të tillë.
“LVV me kandidatin Konjufca, me të cilin sapo përfundova takimin, kanë besim të plotë që mund të arrijnë votat e nevojshme, por kjo iu takon atyre. Ju takon atyre që t’i bëjnë votat. Mua më takon që të bindem se kanë gjasa, dhe mua më kanë bindur që kanë gjasa”, kishte thënë ajo pasi u pyet nga KosovaPress në konferencë për media më 4 nëntor.
Por, në seancën e së enjtes, Konjufca mori vetëm 56 vota të deputetëve nga 61 të nevojshme për të formuar qeverinë e re.
“Me 56 vota për, 53 vota kundër si dhe katër abstenime, Kuvendi nuk zgjodhi qeverinë e Kosovës”, tha kryeparlamentari Basha.
LVV-ja edhe më 26 tetor ka dështuar të formojë qeverinë e re me mandatar për kryeministër liderin e partisë, Albin Kurti.

