Lajme

Presidenca: Osmani nuk ka bërë shkelje kushtetuese, Kuvendi qysh nesër ta caktoj seancën për presidentin

Presidenca e Kosovës ka mirëpritur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se vendimi konfirmon qëndrimet juridike të paraqitura nga ky institucion.

“Presidentja e Republikës së Kosovës e mirëpret aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastet nr. KO 72/26 dhe KO 74/26, i cili i konfirmon argumentet juridike të dorëzuara nga Presidenca në Gjykatën Kushtetuese rreth këtij rasti, si dhe konfirmon se Presidentja Osmani nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese”, thuhet në njoftim.

Presidenca thekson se Gjykata ka sqaruar edhe çështjen e afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.

“Vetë Gjykata Kushtetuese e konfirmon se afati 60-ditor duhet të konsumohet para afatit 30-ditor të paraparë në nenin 86.2 të Kushtetutës, dhe se ky afat 30-ditor para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual është përfundimtar dhe detyrues, si dhe nuk mund të relativizohet”, theksohet në njoftim.

 

Presidenca gjithashtu thekson se përgjegjësia për zgjedhjet nuk lidhet me dekretin presidencial, por me Kuvendin.

“Gjykata, në asnjë paragraf të aktgjykimit të saj, nuk ka konstatuar shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentes. Përkundrazi, ka konfirmuar se nuk është dekreti ai që e çon vendin në zgjedhje të reja, por është dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të ri ai që i shkakton këtë proces të zgjedhjeve”, thuhet tutje.

Presidenca ka përshëndetur afatin 34-ditor të dhënë nga Gjykata për deputetët dhe u ka bërë thirrje që të veprojnë menjëherë.

“Në vend të deklarimeve të tilla të paqëndrueshme, ftojmë Kuvendin e Kosovës që qysh nesër ta caktojë datën e seancës së re për zgjedhjen e Presidentit të ri dhe ta kryejnë detyrimin për të cilin janë zgjedhur, duke i dhënë vendit stabilitet dhe siguri.”

Në fund, Presidenca ka theksuar se interpretimi i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar dhe duhet të respektohet nga të gjitha palët, duke fajësuar mungesën e konsensusit politik për situatën e krijuar.

Të Ngjashme