Lajme

Presidenti i Forumit Ekonomik Botëror jep dorëheqje pas publikimit të lidhjeve me Epstein

Borge Brende ka dhënë dorëheqjen nga roli i tij si president dhe drejtor ekzekutiv i Forumit Ekonomik Botëror (WEF), pas zbulimeve të lidhjeve të tij me financierin e ndjerë dhe të dënuar për abuzim seksual, Jeffrey Epstein.

Brende, një ish-ministër i jashtëm norvegjez i cili u bë president i WEF në 2017, njoftoi largimin e tij të enjten, duke u bashkuar me radhët e figurave të shquara që kanë lënë punët e tyre ose janë përballur me hetime penale pasi kontaktet e tyre me Epstein u zbuluan në dosjet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë muajin e kaluar.

“Pas një shqyrtimi të kujdesshëm, kam vendosur të jap dorëheqjen si President dhe Drejtor Ekzekutiv i Forumit Ekonomik Botëror. Koha ime këtu, që përfshin 8 vjet e gjysmë, ka qenë thellësisht e dobishme”, tha Brende në një deklaratë të cituar nga Al Jazeera, e cila nuk përmendi Epstein.

Largimi i Brendes erdhi disa javë pasi WEF, organizatori i samitit vjetor të Davosit, nisi një hetim të pavarur mbi marrëdhënien e tij me Epstein, pas zbulimeve në dosje se norvegjezi kishte pasur tre darka biznesi me financierin dhe gjithashtu kishte komunikuar me të nëpërmjet email-it dhe mesazheve me tekst.

Epstein u dënua për shfrytëzimin e një të miture për prostitucion në vitin 2008, duke kaluar rreth një vit në burg para lirimit të tij.

Kontaktet e tij me një rrjet figurash të pasura dhe me ndikim vazhduan pas dënimit të tij derisa një hetim ndaj financierit të pasur u rihap në vitin 2019.

Epstein vdiq nga vetëvrasja në burg atë vit, ndërsa përballej me akuza për trafikim seksual të vajzave të mitura.

Të Ngjashme