Lajme

Presidenti i ri dhe kompromiset politike – a po ndryshon strategjia e PDK-së? Ja skenarët pas takimeve

“Lëvizja Vetëvendosje mund ta bëjë edhe qeverinë edhe kuvendin dhe është e drejtë e saj, ka përgjegjësi për ta bërë këtë, por nëse krijohet, konstituohet kuvendi, krijohet qeveria, nuk ka marrëveshje politike dhe vjen diskutohet për presidentin ose presidenten, as që bisedohet. As nuk bisedojmë fare, pa u formuar qeveria duhet të bisedohet për presidentin, ky është kushti i PDK-së”, kështu ka deklaruar kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, gjersa vazhdonte rinumërim i votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Kuvendi i konstitua dhe u formua edhe qeveria e re e tani filluan bisedimet për çështjen e presidenti, bisedimet këto që nuk i refuzoi Partia Demokratike e Kosovës.

Të dielën, kreu i PDK-së , Bedri Hamza, u takua me kryeministrin Albin Kurti, ku pos çështjeve tjera diskutuan edhe për presidentin.

Hamza pas takimit deklaroi se çështja e presidentit nuk është e vetëm një partie, por e të gjithëve dhe për këtë arsye iu përgjigj pozitivisht ftesës së Kurtit.

“Zgjedhja e Presidentit nuk është çështje vetëm e një partie, por e të gjithë neve si përfaqësues të zgjedhur të popullit. Për këtë arsye, sot iu përgjigja pozitivisht ftesës së z. Kurti për të diskutuar për zhvillimet politike dhe procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit”, thuhet në shkrimin e Hamzës.

Ai shtoi se ata nuk kanë qenë pengesë për proceset shtetërore, gjersa kërkoi reflektim.

“Si subjekt politik opozitar, nuk kemi qenë dhe nuk jemi pengesë e proceseve shtetërore, por as nuk mbështesim kandidatura që nuk përfaqësojnë unitetin qytetar, sipas frymës kushtetuese.

Uroj që të ketë reflektim nga ata që e kanë përgjegjësinë kushtetuese për të propozuar kandidatura me mbështetje të gjerë, duke shmangur kalkulimet afatshkurtra partiake. Stabiliteti institucional është jetik dhe duhet të trajtohet si i tillë”, thuhet në shkrimin e Hamzës.

Analistët politikë kanë analizuar qëndrimin ndryshues të PDK-së për çështjen e presidentit e bisedimet, ku sipas tyre, rrethanat kanë ndryshuar dhe PDK nuk ka ndryshuar parim, por taktik.

Shmangie e krizës politike

Analisti Gani Qarri, konsideron se shpresa për t’u mos përsëritur kriza e vitit të kaluar, partitë opozitare imponohen të ulen të bisedojnë.

Image
Gani Qarri

“Siç dihet tanimë nga të gjithë presidentja aktuale dr. Vjosa Osmani ka shprehur qëndrimin e saj, se është e interesuar të zgjidhet edhe për një mandat presidente e vendit, por duke qenë se LVV, megjithëse ka marrë mbi 51.10% të votave të elektoratit dhe është partia më e madhe në vend, nuk i ka votat e mjaftueshme për zgjedhjen e presidentes/it, pa marrëveshje me partitë opozitare, pasi që në dy raundet e para votuese, është i nevojshëm kuorumi, së paku prej 80 deputetëve, kështu që kryeministri Kurti ka filluar takimet edhe me kryetarët e partive opozitare, për mënjanimin e dështimit të zgjedhjes së presidentes/it të vendit, akt pas të cilit do të detyrohej vendi, serish të shkoj në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme. Në anën tjetër, shpresa për mos përsëritjen e krizave të vitit të kaluar u rrit nga vet rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, me të cilat fatmirësisht, Sovrani me votën e tij, i uli edhe njëherë-në tokë, partitë opozitare dhe imponoi një kapitull të ri në bashkëpunimin ndërmjet segmenteve rivale politike, ndërsa ndihmesë në relaksimin e atmosferës politike solli edhe ardhja e Bedri Hamzës në krye të PDK-së, ndaj tani kemi zhvillimin e një dialogu shumë më konstruktiv ndërmjet partisë qeverisëse, PDK-së dhe një pjese të partive opozitare, të cilat janë të detyruara të punojnë në të mirë të shtetit dhe mbarëvajtjes e forcimit të demokracisë pluraliste në vend, gjë që vetëm para disa muajsh dukej e pamundur, të ndodhte në Kosovë”, shprehet Qarri.

Sipas tij, bisedimet në mes kreut të PDK-së dhe kryeministrit Kurti për postin e presidentit u zhvilluan në rrethana të reja.

“Nisur nga nevoja imediate për bashkëpunim edhe ndërmjet partive dhe deputetëve, për ta siguruar numrin e nevojshëm të votave apo garantuar kuorumin në Kuvend për zgjedhjen e të parit të shtetit, tanimë kur kanë ngelur më pak se 10 ditë nga afati i paraparë kushtetues, kryeministri Kurti takoi fillimisht kryetarin e PDK-së dhe një nga temat kryesore, në takimin ndërmjet kryeministrit Kurti dhe kryetarit të ri të PDK-së Bedri Hamza, ishin bisedimet lidhur me zgjedhjen e Presidentes/it të Kosovës, për të përmbushur edhe afatet kushtetuese, për rizgjedhjen, gjegjësisht zgjedhjen e presidentes-it, të Republikës së Kosovës. Duke qenë se në zgjedhjet kombëtare të 28 dhjetorit, partitë opozitare dolën të ndëshkuara rëndë nga sovrani, për shkak të ngërçit të inskenuar politik dhe bllokadës mese një vjeçare kundër krijimit të Qeverisë së legjislaturës së 9-të dhe institucioneve legjitime shtetërore të Republikës së Kosovës, kushti i PDK-së për bisedime për postin e presidentit që të bisedohet pa u formuar Qeveria dhe Kuvendi, për marrëveshjet e mundshme politike, ka humbur domethënien, prandaj edhe bisedimet ndërmjet kreut të PDK-s dhe Kryeministrit Kurti, u zhvilluan në rrethana të reja”, pohon analisti.

Ai konsideron se PDK dhe disa deputetët e saj janë të gatshëm të bëjnë kompromise, gjersa mendon se njëjtë do të bëjnë edhe nga LDK.

“Madje ndryshimet në krye të PDK-së, përveçse kanë sjell shtendosje qëndrimesh politike me partinë qeverisëse, vet deklaratat e z. Bedri Hamza se PDK, nuk do të jetë pengesë e proceseve shtetërore dëshmon se partia që ai kryeson, edhe nëse nuk merr pjesë drejtpërsëdrejti në votime “pro”-as “kundër”, deputetët e saj, apo shumica prej tyre, do të qëndrojnë në seancë, gjatë procedurës së zgjedhjes së presidentes/it, të vendit, që nënkupton se kjo parti dhe vet z. Hamza, janë të gatshëm të bëjnë kompromise, siç pritet tashmë, të veprohet edhe nga LDK. Epilogu i takimeve të kryeministrit me partitë opozitare, ka për qëllim mënjanimin e bllokadave dhe plotësimin e kushteve për zgjedhjen e presidentes/it, madje do ishte mese e natyrshme që për hir të interesit madhor kombëtar e shtetëror, edhe deputetët e opozitës të votojnë “pro”, e nëse jo, të paktën të mos rrezikohet nga ana e tyre, kuorumi në Kuvend dhe ti mundësohet vendit që të paktën në raundin e tretë, zonja dr. Vjosa Osmani, si personaliteti më i suksesshëm në politikën e jashtme, kandidatja më serioze dhe më e merituar e vendit, si dhe e preferuara e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, shefit të NATO-s Mark Rutte dhe shumë personaliteteve tjera të larta botërore, të rizgjidhet edhe për një mandat presidente e Republikës së Kosovës”, shton Qarri.

Qëndrimi i PDK-së dhe skenarët e takimeve

Ndërsa, Eduard Gashi, thotë se kushtin e PDK-së për postin e presidentit, e ka parë si pazar të hapur politik dhe jo si proces institucional të mbyllur.

Sipas tij, në thelb është ndryshim taktik dhe jo ndryshim parimi.

Image
Eduard Gashi

“Formalisht, PDK kishte vendosur kusht që bisedimet për postin e presidentit të zhvilloheshin para formimit të qeverisë dhe Kuvendit, pra si një pazar i hapur politik dhe jo si proces institucional i mbyllur.

Takimi i djeshëm i kryetarit të PDK-së me Albin Kurti tregon se:

• PDK e ka kuptuar se po rrezikon të mbetet jashtë loje, nëse vazhdon me një qëndrim strikt.

• Realiteti politik po formësohet nga fituesi i zgjedhjeve dhe presioni i kohës (afatet kushtetuese për institucione).

• Partia ka zgjedhur pragmatizmin mbi parimin, duke hyrë në dialog edhe pa u përmbushur kushti i saj fillestar. Në thelb: nuk është ndryshim parimi, por ndryshim taktike”, deklaron Gashi.

I pyetur nëse ky takim nënkupton që PDK bën kompromise edhe për çështje të tjera, Gashi e pohon këtë, por me disa nuanca të rëndësishme.

“Po – potencialisht po nënkupton ky takim se PDK bën kompromise edhe për çështje të tjera, por me disa nuanca të rëndësishme:

• Ky takim nuk do të thotë automatikisht dorëzim, por tregon gatishmëri për:

• pazare institucionale,

• garanci për interesa afatmesme (pozita, ndikim, veto politike).

• PDK ka një histori ku:

• hyn në dialog kur rrezikon izolimin,

• por përpiqet ta shesë këtë si “përgjegjësi shtetërore”. Megjithatë:

• Çështjet identitare, elektorale dhe të lidershipit janë më pak të negociueshme.

• Posti i presidentit është simbolikisht dhe strategjikisht shumë i rëndësishëm për PDK-në, prandaj këtu kompromisi është më i mundshëm se diku tjetër”, shton analisti.

Ai paraqet tre skenarë realistë të takimeve Kuri me opozitën.

“Ka disa skenarë realistë:  Skenari 1: Marrëveshje minimale

• Opozita (përfshirë PDK-në) nuk hyn në qeveri,

• por nuk e bllokon zgjedhjen e presidentit,

• në këmbim të:

• konsultimeve politike,

• një figure “të pranueshme”,

• ose garancive për balancë institucionale.  Skenari 2: Zvarritje e qëllimshme

• Takime, deklarata, por pa marrëveshje konkrete,

• opozita fiton kohë,

• qeveria ushtron presion publik duke e paraqitur veten si konstruktive.  Skenari 3: Krizë e re institucionale

• Nëse nuk arrihet kompromis:

• bllokohet zgjedhja e presidentit,

• hapet rruga për krizë kushtetuese,

• dhe për rikonfigurim politik (presion për zgjedhje të reja ose marrëveshje të detyruara)”, përfundon Gashi.

Të Ngjashme