Në një mesazh për fundvitin, presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, ka uruar të gjithë shqiptarët për Vitin e Ri 2026, duke reflektuar mbi vitin që po mbyllet dhe duke shprehur shpresën për një vit të ri të mbushur me angazhim dhe përpjekje të përbashkëta.
Ai u ndal në vlerësimin e arritjeve të Shqipërisë dhe nënvizoi sfidat që presin vendin në vitin që do të vijë.
Presidenti Begaj theksoi se Viti i Ri është një moment reflektimi dhe një mundësi për të projektuar të ardhmen, ndërsa theksoi se ky është gjithashtu një vit i shpresës për brezin e ri.
“Sonte, teksa jeni mbledhur rreth tryezës festive me familjen dhe njerëzit tuaj të dashur, dëshiroj t’ju marr vetëm pak çaste për t’ju uruar përzemërsisht Vitin e Ri! Nata e ndërrimit të viteve është koha e reflektimeve, momenti kur ndalemi për të parë çfarë lamë pas dhe për të projektuar shpresat tona për motmotin e ri. Kjo është, mbi të gjitha, festa e familjes. Vlerat që rriten brenda saj janë pikërisht ato që i japin forcë dhe qëndrueshmëri mbarë shoqërisë sonë. Kujdesi për brezin e ri nuk është thjesht një ndjenjë, por një zgjedhje e mençur për të ardhmen. Investimi te fëmijët dhe të rinjtë tanë është gur themeli i Shqipërisë evropiane që aspirojmë. Shqiptarët kanë treguar se dija, përkushtimi dhe puna e ndershme janë forca jonë më e madhe. Kemi dëshmuar arritje. Pas çdo suksesi, ka punë e sakrifica familjare që dëshmojnë se e ardhmja nuk ndërtohet me fjalë të mëdha, por me angazhim të përditshëm”, tha Begaj.
Begaj vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar se viti 2025 ka qenë një periudhë e rëndësishme për forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit.
Ai nënvizoi se, përkundër sfidave, Shqipëria ka dëshmuar vullnetin për të ecur përpara dhe për të forcuar pozitat ndërkombëtare.
“Viti që po mbyllet ishte një vit përpjekjesh dhe sfidash, ku Shqipëria dëshmoi sërish vullnetin për të ecur përpara. Kemi ende punë për të ngushtuar pabarazitë dhe për të forcuar besimin tek institucionet. Forcuam rolin tonë ndërkombëtar dhe hodhëm hapa konkretë drejt Bashkimit Evropian. Kemi shënuar progres në forcimin e shtetit të së drejtës, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Të inkurajuar nga sukseset dhe të përulur nga mosarritjet, viti 2026 duhet të jetë viti i një përpjekjeje të përbashkët për ta kthyer standardin evropian në një realitet të prekshëm në jetën e çdo familjeje shqiptare. Interesi kombëtar dhe dialogu duhet të udhëheqin veprimet tona për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të begatë, sepse ajo që na bashkon është më e fortë se çdo interes që na ndan. Ndaj, në vigjilje të Vitit të Ri 2026, urimi im i parë është për bashkëpunim dhe bashkërendim rreth qëllimeve e interesave mbarëkombëtare!”, tha ai.
Një urim të veçantë, Begaj e pati edhe për shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Luginës së Preshevës, arbëreshëve dhe diasporës shqiptare kudo që ndodhen.
Ai i cilësoi ata si pjesë të pandarë të kombit shqiptar dhe i falënderoi për kontributin e tyre të çmuar.
“Përshëndetjet më të ngrohta dhe urimet më të mira kam sot për shqiptarët kudo ndodhen në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginën e Preshevës, arbëreshët dhe Diasporën tonë! Ju jeni pjesë e pandarë e këtij kombi dhe energji vitale për të ardhmen tonë të përbashkët. Një urim të veçantë kam sonte për të gjithë mjekët, infermierët, pjesëtarët e Forcave të Armatosura, punonjësit e rendit, zjarrfikësit dhe gazetarët, si dhe të gjithë ata që sot janë në krye të detyrës dhe larg familjeve të tyre! Mendimi ynë shkon edhe për ata që këtë natë e kalojnë në spitale apo në kushte të vështira, larg ngrohtësisë së shtëpisë. Çdo familje shqiptare, nga fëmijët, te gjyshërit, pastë shëndet, gëzime dhe mbarësi!
Mbi të gjitha, uroj për Vitin e Ri 2026 më shumë besim te njëri-tjetri dhe më shumë mirëkuptim, sepse Shqipëria është shtëpia jonë e përbashkët, përgjegjësia jonë e përditshme dhe e nesërmja që ndërtojmë bashkërisht! Me përulësi për sfidat që kemi përpara, me besimin te vlerat e punës, solidaritetit dhe përgjegjësisë qytetare, dhe me vendosmëri për të ndërtuar të ardhmen tonë evropiane, ju uroj nga zemra: Gëzuar Vitin e Ri 2026! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët! Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja! Gëzuar!”, përfundon Begaj.

