Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Presidenti i Ukrainës mbërrin në Berlin për vizitë zyrtare

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy pritet të takohet sot në Berlin me kancelarin e ri gjerman, Friedrich Merz, ndërsa Ukraina kërkon mbështetje të shtuar ushtarake përballë bombardimeve intensive nga Rusia.

Takimi vjen mes përpjekjeve diplomatike të udhëhequra nga SHBA për t’i dhënë fund luftës.

Gjermania është furnizuesi i dytë më i madh i ndihmës ushtarake për Ukrainën pas SHBA-së. Merz, në detyrë prej tre javësh, është angazhuar për të ruajtur unitetin perëndimor dhe për të shtyrë përpara përpjekjet për armëpushim.

Ai ka njoftuar se nuk do të ketë më kufizime në rrezen e armëve që Gjermania dërgon në Ukrainë, por ende nuk ka dhënë një vendim për raketat Taurus, që mund të godasin objektiva në thellësi të Rusisë.

Zelenskyy shprehu gatishmëri për bisedime paqeje në nivel të lartë, përfshirë një takim të mundshëm trepalësh me Vladimir Putinin dhe Donald Trumpin, ka shkruar AP.

Ai gjithashtu theksoi nevojën për 30 miliardë dollarë ndihmë shtesë për të përballuar kapacitetin prodhues të Rusisë në dronë dhe raketa.

Ndërkohë, luftimet në terren mbeten të ashpra. Rusia kreu një nga sulmet më të mëdha me dronë kundër Ukrainës fundjavën e kaluar, ndërsa pretendon se ka rrëzuar pothuajse 300 dronë ukrainas gjatë një nate të vetme në 13 rajone të ndryshme.