Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Presidenti palestinez në fjalimin në OKB akuzon Izraelin se po kryen krime kundër njerëzimit

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, i është drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, të enjten përmes një video lidhjeje, pasi SHBA-të ndaluan vizat për ta.

Ai ka deklaruar se Izraeli ka “vendosur një rrethim mbytës mbi një popull të tërë” dhe thotë se kjo nuk është “thjesht një agresion; është një krim lufte dhe një krim kundër njerëzimit”.

Abbas tha se Izraeli vazhdon të zgjerojë në mënyrë të paligjshme vendbanimet e tij në Bregun Perëndimor . Ai deklaroi se Palestina i hedh poshtë dhe “i dënon plotësisht” planet për një “Izrael të Madh”.

“Ne bëmë të gjitha përpjekjet tona për të ndërtuar institucionet e një shteti modern palestinez që jeton krah për krah në paqe dhe siguri me Izraelin”, thotë ai, duke shtuar se Izraeli nuk i është përmbajtur marrëveshjeve dhe ka “punuar për t’i minuar ato”.

Abbasi shprehu mirënjohjen e tij për ato vende që e kanë njohur ose planifikojnë ta njohin shtetin e Palestinës.

“Duhet theksuar se ne e kemi njohur tashmë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar në vitet 1988 dhe 1993 dhe ende e njohim këtë të drejtë”, thotë ai.

Ai u shpreh se ekziston nevoja për një fund të menjëhershëm të luftës në Gaza, hyrjen e ndihmës humanitare përmes organizatave të OKB-së dhe për të ndaluar përdorimin e urisë si armë, shkruan The Guardian.

Presidenti palestinez bëri thirrje për t’i dhënë fund “terrorizmit të kolonëve” dhe “vjedhjes së tokës dhe pronës palestineze nën titullin e aneksimit”.

Ai tha se ka ardhur koha që bashkësia ndërkombëtare të “bëjë atë që duhet” për popullin palestinez dhe se, lufta paqësore, ligjore dhe diplomatike për të drejtat e Palestinës do të vazhdojë.

“Pavarësisht se sa zgjasin vuajtjet, ato nuk do ta thyejnë vullnetin tonë për të jetuar dhe mbijetuar”, thotë ai. “Agimi i lirisë do të lindë dhe flamuri i Palestinës do të valëvitet lart në qiellin tonë”.

Abbasi e përfundoi fjalimin e tij 20-minutësh duke thënë se “populli ynë do të mbetet i rrënjosur si pemët e ullirit, i fortë si shkëmbinjtë”.