Lajme

Presidentja Osmani thotë se Trump meriton çmimin Nobel për Paqe

 
   

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se presidenti amerikan Donald Trump e meriton Çmimin Nobel për Paqe, duke thënë se do ta nominojë atë për këtë çmim prestigjioz, nëse vazhdon të jetë në krye të shtetit.

Në një intervistë për gazetën amerikane “Newsweek”, Osmani është pyetur nëse do ta nominonte Trumpin për Nobelin për Paqe, ndërsa ajo është përgjigjur: “Sigurisht, nëse unë jam presidente kur të vijë ai moment”.

Sipas Newsweek, vetëm persona të caktuar mund të paraqesin nominime për Çmimin Nobel për Paqe dhe afati për nominime përfundon në fund të janarit, ndërsa kryetarët e shteteve janë ndër ata që kanë të drejtë të propozojnë kandidatë. Fituesi shpallet çdo vit në muajin tetor.

Donald Trump prej vitesh ka shprehur publikisht dëshirën për të fituar Çmimin Nobel për Paqe, duke e cilësuar veten si “paqebërësi kryesor”, ndërsa ka pretenduar se ka arritur marrëveshje që kanë ndalur konflikte në pjesë të ndryshme të botës”, thekson Newsweek. Megjithatë, sipas kësaj gazete, analistët dhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë vënë në dyshim se sa luftëra janë ndalur realisht gjatë mandatit të tij.

‘Newsweek’ rikujton se presidentja Osmani, duke folur nga Samiti Botëror i Qeverive në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, ka theksuar edhe raportet e veçanta të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar popullin e Kosovës si “më pro-amerikanin në botë” dhe “shumë mirënjohës për çdo administratë amerikane”.

Po ashtu, kjo gazetë ka rikujtuar se SHBA-ja udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999, e cila i dha fund luftës në Kosovë dhe një krize humanitare që kishte shkaktuar dëbimin dhe spastrimin etnik të qindra mijëra shqiptarëve të Kosovës.

 
 
 
 

 

Të Ngjashme