Lajme

Presidentja Vjosa Osmani takon Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, në 18-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u prit sot në Departamentin Amerikan të Shtetit nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, në një takim që shënoi 18-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Presidentja Osmani falënderoi Sekretarin Rubio për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe për prezencën ushtarake amerikane në vend, e cila sipas saj, mbetet vendimtare për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Në diskutime u trajtua gjithashtu rëndësia e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik dhe në mbrojtje, si pjesë e partneritetit strategjik mes dy vendeve.

Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e përbashkët për adresimin e sfidave globale dhe për avancimin e Kosovës drejt integrimit euroatlantik.

Postim i plotë:

Me SHBA-të jemi të bashkuar në vendosmërinë për të mbrojtur paqen dhe për të garantuar një të ardhme më të sigurt për brezat e rinj!

Në 18-vjetorin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, ishte nder i veçantë që sot u prita në Departamentin Amerikan të Shtetit nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio.

Diskutuam mundësitë për forcimin e aleancës sonë, si dhe hapat konkretë në këtë drejtim që kanë rëndësi jetike për popullin tonë. Në veçanti, e falenderova për përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes, për mbështetjen vendimtare amerikane për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe për prezencën ushtarake amerikane në Kosovë si prezencë kyqe për paqen e stabilitetin në rajon. Diskutuam për rëndësinë e madhe të anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe për hapjen e kapitujve të ri të bashkëpunimit në ekonomi e mbrojtje, si pjesë e partneritetit tonë strategjik.

Krah për krah me Shtetet e Bashkuara, mbetemi të përkushtuar ndaj forcimit të paqes dhe sigurisë, adresimit të sfidave të përbashkëta globale dhe avancimit drejt integrimit euroatlantik të Kosovës.

Të Ngjashme