Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka publikuar të dhënat më të fundit për gjendjen në pikat e kalimit kufitar, ku raportohet për pritje dhe kolona në disa hyrje drejt Kosovës.
Sipas përditësimit të orës 19:45, pritjet më të gjata janë regjistruar në pikën kufitare Muçibabë, ku udhëtarët në hyrje po presin deri në 60 minuta, ndërsa kolona e automjeteve ka arritur rreth 300 metra.
Situatë me fluks të shtuar paraqitet edhe në pikën Dheu i Bardhë, ku pritjet në hyrje shkojnë deri në 50 minuta dhe kolona është rreth 200 metra e gjatë.
Në Bërnjak, pritjet për hyrje janë rreth 45 minuta, ndërsa kolona e automjeteve arrin afërsisht 500 metra. Ndërkohë, në Han të Elezit, pritjet në hyrje janë rreth 20 minuta, ndërsa në dalje deri në 40 minuta, me kolonë prej rreth 300 metrash.
Në pikat e tjera kufitare, përfshirë Kullën, Merdarën, Mutivodën, Qafën e Morinës, Qafën e Prushit, Stançiqin dhe Vërmicën, qarkullimi paraqitet më i lirë, me pritje nga 2 deri në 10 minuta dhe pa kolona të mëdha.
Për automjetet e transportit të mallrave nuk janë raportuar vonesa të konsiderueshme. Sipas të dhënave, kamionët po kalojnë në shumicën e pikave kufitare me pritje prej vetëm 3 deri në 5 minutash dhe pa kolona të regjistruara.
