Politik

Procesi maratonik në Hagë drejt një epilogu ligjor

 
   

Gjykata Speciale në Hagë njofton për deklaratat përmbyllëse ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit

Gjykata Speciale në Hagë ka bërë të ditur se deklaratat përmbyllëse në gjyqin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit do të zhvillohen gjatë muajit të ardhshëm.

Seancat janë planifikuar nga 9 deri më 13 shkurt, si dhe më 16 dhe 18 shkurt, nga ora 09:00 deri në 16:30. Më 9 dhe 10 shkurt do të paraqitet deklarata përmbyllëse e Prokurorisë dhe Mbrojtjes së Viktimave. Mbrojtja e Thaçit dhe Veselit do të paraqesë deklaratat më 11 dhe 12 shkurt, ndërsa ajo e Selimit më 12 dhe 13 shkurt. Deklarata e Krasniqit do të zhvillohet më 13 dhe 16 shkurt, kur Trupi Gjykues do të parashtrojë edhe pyetje.

Aktakuza ndaj katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe është ndryshuar disa herë, më 3 shtator 2021, 29 prill 2022 dhe 30 shtator 2022

Ekspertët vlerësojnë se pavarësia dhe profesionalizmi i Gjykatës e bëjnë të pamundur ndikimin politik nga Kosova.

Një model i ri i drejtësisë

Analisti politik, Skender Zogaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka cilësuar se krijimi i Gjykatës Speciale në Hagë është pasojë e dështimit dhe injorancës së udhëheqjes së Kosovës, e cila lejoi kapjen e shtetit nga krimi dhe korrupsioni.

Sipas tij, drejtësia nuk funksionoi pas luftës, pasi strukturat kriminale penguan çdo përpjekje për reforma, gjë që bashkësia ndërkombëtare nuk mund ta toleronte pafundësisht.

“Formimi i Gjykatës Speciale dhe vendosja e saj në Hagë është rezultat eklatant i paaftësisë dhe i injorancës së udhëheqjes politike e shtetërore të Kosovës. Në vend që të angazhohej seriozisht për krijimin dhe funksionalizimin e institucioneve të pavarura të drejtësisë, ajo lejoi që bosët e krimit dhe të korrupsionit të organizuar ta kapnin shtetin, duke e penguar lirinë, pavarësinë dhe përparimin demokratik të vendit.

Strukturat e krimit të organizuar shkatërruan gjithçka që u përpoq t’i ndalte, madje edhe ata që vetëm u pandehën se mund të bëheshin pengesë për realizimin e qëllimeve të tyre të ndyra. Si pasojë, në Kosovën e pasluftës drejtësia nuk funksionoi. Këtë gjendje bashkësia ndërkombëtare, sado e durueshme dhe tolerante, nuk mund ta pranonte pafundësisht”, ka thënë ai.

 Image
 Analisti politik, Skender Zogaj 
 

Tutje, Zogaj ka vlerësuar se Gjykata Speciale u krijua me diktat sepse drejtësia në Kosovë nuk funksiononte dhe ishte e kapur nga politika dhe krimi.

“Pikërisht për këtë arsye, kur u pa qartë se drejtësia në Kosovë nuk po funksiononte dhe as nuk po dëshironte të funksiononte, me diktat u kërkua formimi i Gjykatës Speciale dhe vendosja e saj në Hagë. Kjo u bë me arsye të plotë: në Kosovë nuk ekzistonin kushtet minimale për ushtrimin e një drejtësie të pavarur dhe të pakapur nga politika e krimi.

Së dyti, duke mos dashur të përballet drejtpërdrejt me rrjetin e gjerë të kriminelëve të fshehur ligjërisht, Gjykata Speciale zgjodhi rrugën më të lehtë: arrestoi dhe dërgoi në Hagë funksionarë të lartë shtetërorë dhe politikë. Prej pesë vjetësh, pa asnjë shqetësim procedural, ajo po i mban në proces gjyqësor ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-shefin e SHIK-ut Kadri Veseli, ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi dhe ish-deputetin e komandantin e UÇK-së, Rexhep Selimi”, ka theksuar ai.

Zogaj ka deklaruar se zvarritja e procesit dëshmon një qasje të re të Gjykatës Speciale, me hetime shumë të gjera dhe pa ngut, ndërsa rezultatet reale pritet të dihen në fazën përfundimtare në shkurt.

“Zgjatja e tejskajshme e këtij procesi gjyqësor është dëshmi se Gjykata Speciale ka eksperimentuar një model të ri të drejtësisë: “kapjen e lepurit me qerren e buajve” – pa ngut, por me thellim ekstrem në hetimin e një rrethi shumë të gjerë krimesh të supozuara. Çfarë ka gjetur realisht mbetet të shihet pas përmbylljes së procesit, i cili pritet të hyjë në fazën përfundimtare të deklaratave ndërmjet 9 dhe 18 shkurtit.

Cilido qoftë rezultati përfundimtar i këtij procesi, një gjë duhet thënë hapur dhe pa ekuivok: përpjekjet për ndikim politik dhe reagimet e organizatave të dala nga lufta kanë qenë të gabuara dhe pa asnjë efekt pozitiv. Përkundrazi, ato kanë qenë përpjekje të drejtpërdrejta për pengimin e drejtësisë.

Reagimet e maskuara si kërkim i drejtësisë kanë qenë farsë atdhetare, primitive në thelb, të ndërtuara mbi iluzione presioni ndaj një gjykate ndërkombëtare. Pa e kuptuar se “arushën nuk e frikëson legeni”, këto reagime nuk kanë pasur dhe nuk kanë kurrfarë ndikimi real mbi Gjykatën Speciale”, ka përfunduar Zogaj.

Qarri: Akuzat e rënda e bëjnë të pamundur lirimin pa dënime

 Ndërsa, analisti politik, Gani Qarri ka potencuar se Dhomat e Specializuara në Hagë janë institucione profesionale dhe të pavarura, që gjykojnë sipas ligjeve evropiane dhe të drejtës ndërkombëtare, ndaj ndikimet politike nga Kosova kanë pak gjasa të ndikojnë drejtësinë.

 Image
 Gani Qarri 
 

 “Në fakt Dhomat e Specializuara në Hagë janë organe të mire përgatitura dhe të obliguara që të gjykojnë sipas të gjitha rregullave dhe nxjerrin vendime të pavarura juridike konform ligjeve evropiane dhe bazuar në të drejtën ndërkombëtare, prandaj dhe ka shumë pak gjasa që edhe në Hagë të dështojë drejtësia për shkak të ndikimeve politike brenda Kosovës.

Megjithatë pas njoftimit të Gjykatës Speciale se nga 9 deri më 18 shkurt, pritet të përmbyllet trajtimi i deklaratave në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, nuk do mend se ka njerëz të caktuar, të cilët nguten që të jen të parët, për shpërndarjen e “parashikimeve” dhe publikimin e opinioneve e të prononcimeve të paargumentuara, nga të cilat, një pjesë e njerëzve mund të krijojnë shpresa të parakohshme, ndërsa pjesa tjetër, padyshim të përjetojnë edhe zhgënjime.

Por ajo që është e qartë deri më tani, mbetet fakti i pamohueshëm, se mbi detajet e maratonës së zhvillimit të procesit të gjykimit në Hagë i cili po zgjatë tash e mbi pesë vite dhe vërtetimit të provave, nga dëshmitë e mbledhura në Dhomat e Specializuara, opinioni publik shqiptar, ka shumë pak njohuri, ndaj dhe nuk mund të dilet me mendime strikte, mbi vendimin përfundimtar që do të nxirret në Gjykatën Speciale, të cilin mund ta japin vetëm organet e specializuara të thirrura për ti dhënë zgjidhjen adekuate këtij procesi maratonik gjyqësor, pas shqyrtimit me kujdes dhe përkushtimin e duhur, të të gjitha provave dhe dëshmive të trajtuara nga profesionistët juridiko-ligjor gjatë pesë viteve në Hagë”, ka përfunduar Qarri.

 
 
 
 

 

Të Ngjashme