Lajme

Profesori amerikan paralajmëron: Situata në Kosovë e qetë, por e brishtë, përmend Banjskën

Profesori amerikan Alon Ben-Meir në një prononcim pwr ‘Bota sot’, vlerëson se situata e sigurisë në Kosovë mbetet përgjithësisht e qetë, por e brishtë.

“Ka shpërthime të herëpashershme tensioni, veçanërisht në veri me shumicë serbe,” deklaron ai.

Ai thekson se prania e KFOR vazhdon të jetë një faktor kyç për parandalimin e dhunës në shkallë të gjerë.

“Rreziku për një sulm të drejtpërdrejtë ushtarak ndaj Kosovës mbetet i ulët për sa kohë që KFOR-i është i pranishëm,” shprehet Ben-Meir.

Image
Profesori amerikan Alon Ben-Meir

Megjithatë, ai paralajmëron se situata mund të përkeqësohet shpejt, duke iu referuar krizës në veri që nga viti 2022.

“Ngjarje si sulmi në Banjskë më 2023 dhe përplasjet rreth zgjedhjeve komunale tregojnë sa lehtë mund të destabilizohet ambienti i sigurisë,” thotë ai.

Sipas tij, edhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pësuar goditje.

“SHBA-ja pezulloi dialogun strategjik me Prishtinën më 12 shtator 2025 për shkak të shqetësimeve mbi veprime të pakoordinuara, duke sinjalizuar një ulje të angazhimit politik,” deklaron profesori.

Ai e cilëson këtë zhvillim si një prapakthim të madh dhe shton se nuk ka ende një afat për rifillimin e dialogut.

“Edhe pse stabiliteti në Kosovë mbetet prioritet për Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ajo nuk është më në qendër të vëmendjes krahasuar me kriza si Ukraina, Gaza apo Irani,” përfundon Ben-Meir.

Të Ngjashme