
Profesori Binak Maxharraj ka thënë se që nga viti 2011, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë u imponua nga BE, pa ndonjë nevojë reale, pasi Kosova tashmë ishte shtet i pavarur. Ky proces, që filloi si teknik, u shndërrua në politik dhe u shfrytëzua nga Serbia për të shtyrë përpara ide të rrezikshme si ndarja e Kosovës – me mbështetjen e Rusisë.
Pavarësisht se statusi i serbëve në Kosovë është ndër më të avancuarit në Evropë, Serbia nuk po kërkon më të drejtat e tyre, por territor. Prandaj, para rifillimit të dialogut, Kosova duhet të vendosë qartë temat dhe vijat e kuqe: jo ndarje, jo shkëmbim kufijsh.
Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti duhet ta sqarojnë këtë pozicion qartë me BE-në, dhe dialogu të mos vazhdojë si më parë, por mbi baza të qarta që mbrojnë interesin kombëtar.
Shkrimi i plotë:
Në vitin 2011 Kosovës iu imponua dialogu me Serbinë krejtësisht i panevojshëm, sepse me pavarësimin e Kosovës nga Serbia dhe realisht edhe nuk kishte se për çfarë. Ky dialog iu imponua Kosovës nga BE më shumë për hatër të Serbisë, për t’i sqaruar disa raporte mes veti e sidomos ato të pozitës serbe në Kosovë.
Ky dialog i pakuptimtë midis Kosovës dhe Serbisë në fakt as që duhej të ndodhte, sepse tanimë Kosova dhe Serbia i kishin ndarë rrugët e tyre. Por edhe sikur të kishim njerëz të mençur atëherë kur u formua dialogu, kjo nuk do të kishte ndodhur – thjeshtë dialogu do të refuzohej. Por fatkeqësisht nuk patëm; patëm vetëm asish të shantazhuar nga Serbia, të cilët iu dorëzuan së shpejti dialogut.
Dhe, mu për këtë, që 25 vjet po dialogohet me Serbinë për asgjë. Aq më pak, në këtë dialog asnjëherë nuk u bisedua për pozitën dhe statusin e serbëve të Kosovës, i cili edhe ashtu ishte mjaft i avancuar.
Pra, pakica serbe në Kosovë u bë si pretekst që të dialogohej mes Kosovës dhe Serbisë, ani pse pozita dhe statusi i serbëve në Kosovë është ndër më të avancuarit në Evropë. Filloi si dialog teknik, sa për sy e faqe, për të kaluar në dialog politik që i tejkaloi caqet për të cilat ishte formuar ky dialog, duke u kapërcyer në dialog politik, siç insistonte Serbia – dhe që nuk e kundërshtoi fuqishëm Kosova.
Kështu filloi ky dialog shterpë dhe vazhdoi për 25 vjet të kota – pati vetëm humbje kohe, shtyrje brutale dhe asgjë tjetër, pa kurrfarë motivi, pa kurrfarë sensi, deri sa u pa fytyra e vërtetë e Serbisë me Vuçiqin në krye, kur ky dialog me insistimin e tij dhe me pajtimin bizar të Kosovës kaloi në dialog politik.
Këtu ndryshuan gjërat?!
Serbia më nuk po e përmend pozitën e statusin e serbëve të Kosovës, por po përmend diçka tjetër më të madhe, më të rrezikshme për Kosovën:
Ndarjen e Kosovës?!
Kjo ishte ajo thembra e Akilit që Serbia u fut në dialog – thjeshtë ajo po kërkon tokë të Kosovës. Këtë e bëri me ndihmën e Rusisë për shekuj e dekada, duke i zapuar tokat shqiptare.
Ani pse dialogu i dështuar midis Kosovës dhe Serbisë, pas pushimit gati njëvjeçar, po kërkohet që të vazhdojë përsëri aty ku ka mbetur. E saktë – nuk ka mbetur askund, sepse për këto 25 vjet të dialogimit nuk është arritur asgjë.
Realisht, dialogu mes Serbisë dhe Kosovës do të duhej të ndërpritej, por kjo është e pamundur, pasi si i tillë ka hyrë në agjendën euro-atlantike dhe duhet të përfundojë disi.
Këto ditë pas zgjedhjeve në Kosovë, sikur po shtohen zërat për rifillimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. Por diçka duhet të ndryshohet në qasje: ky dialog nuk duhet më të shkojë si “muça pas daive”.
Presidentja Vjosa Osmani tha me plotë të drejtë se para se të rifillojë dialogu me Serbinë, Kosova duhet më parë të bisedojë me Evropën për t’i sqaruar qëllimet e vërteta të këtij dialogu, dhe jo të bisedohet në atë dialog për mish dhije apo për borën e parvjetme.
Evropa duhet t’ua bëjë të qartë palëve, si Kosovës ashtu edhe Serbisë, se mund të bisedohet për çdo gjë në dialog, pos për ndarjen e Kosovës.
Ndarja e Kosovës assesi nuk guxon të shtrohet në tryezën e bisedimeve, sepse Kosova tanimë është shtet sovran dhe askush nuk ka të drejtë që kjo çështje të vihet në rend dite.
Pra, pa ndonjë sqarim të qartë të kornizave të këtij dialogu, Kosova nuk duhet të pranojë që të rinisë dialogun me Serbinë, duke i pasur parasysh qëllimet e Serbisë për ndarjen e mëtejshme të Kosovës. Kjo nismë u iniciua atje diku kah vitet 2018–2019, midis liderëve të Serbisë dhe Kosovës, por që u stopua nga kryeministri Albin Kurti dhe nga Amerika.
Në fund, me këtë shkrim i drejtohem presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Kurti, që para se të rifillojë dialogu me Serbinë, duhet të kryejnë disa punë të domosdoshme:
Së pari, duhet të formohet një ekip ekspertësh të fushave të ndryshme për sqarime gjatë dialogut; të sqarohet dhe specifikohet se për çfarë duhet të rifillojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, duke i specifikuar çështjet dhe temat për të cilat është e nevojshme të diskutohet; dhe ajo më e rëndësishmja – Kosova, e në veçanti presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, duhet t’ia bëjnë të qartë Serbisë se në rifillimin apo vazhdimin e dialogut assesi nuk duhet të hapen tema që kanë të bëjnë me territorin e Kosovës apo me shkëmbim kufijsh.
Kjo nuk është në kompetencat as të presidentes Vjosa Osmani, as në kompetencat e Albin Kurtit, por kjo është çështje e popullit të Kosovës, i cili assesi nuk do të lejojë që të ndodhë diçka e tillë.