Profesori Muhamet Kelmendi ka vlerësuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për të vendosur gjendjen e ngrirë institucionale deri më 31 mars ngre një sërë pyetjesh të rëndësishme lidhur me funksionimin kushtetues të shtetit.
Ai ka potenmcuar se kjo situatë kërkon një shqyrtim të kujdesshëm në planin juridiko-kushtetues.
Një nga shqetësimet kryesore që Kelmendi ka theksuar është dualizmi ndërmjet nenit 82 dhe nenit 86 të Kushtetutës së Kosovës lidhur me procedurën e zgjedhjes së Presidentit.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ta vendosur gjendjen e ngrirë institucionale deri më 31 mars hap një sërë pyetjesh të rëndësishme për funksionimin kushtetues të shtetit. Kjo situatë meriton të shqyrtohet me kujdes në planin juridiko-kushtetues.
Në një analizë të mëhershme kam theksuar ekzistencën e një lloj dualizmi ndërmjet nenit 82 dhe nenit 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës lidhur me procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës.
Nga njëra anë, neni 82 parashikon që procedura për zgjedhjen e Presidentit mund të zgjasë deri në 60 ditë. Nga ana tjetër, neni 86 përcakton se Presidenti duhet të zgjidhet një muaj para skadimit të mandatit të Presidentit aktual. Këto dy dispozita krijojnë një tension interpretues që në praktikë mund të prodhojë paqartësi juridike.
Se si do të harmonizohen këto norma mbetet për t’u parë. Megjithatë, nga pikëpamja juridike duket e arsyeshme që afati prej 60 ditësh të respektohet plotësisht, së bashku me procedurën kushtetuese të paraqitjes së kandidatëve dhe të votimit në Kuvend. Procesi i zgjedhjes së Presidentit duhet të zhvillohet brenda institucioneve parlamentare dhe pa shmangie nga procedura parlamentare.
Praktika e largimit të deputetëve nga seancat e Kuvendit për të pamundësuar kuorumin përbën një problem serioz institucional. Një veprim i tillë jo vetëm që e vështirëson funksionimin normal të institucioneve, por edhe prodhon pasoja të dëmshme për stabilitetin politik të vendit”, ka thënë ai.

Muhamet Kelmendi
Gjithashtu, Kelmendi ka vlerësuar se iniciativa e Osmanit për ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së Presidentit nga Kuvendi në votim të drejtpërdrejtë nga populli ngrit pyetje mbi kohën dhe kontekstin politik.
“Në këtë kontekst mbetet e paqartë edhe iniciativa e Presidentes së Republikës, znj. Vjosa Osmani, e cila vetëm disa orë para skadimit të afatit për zgjedhjen e Presidentit në Kuvend ka propozuar amendamente kushtetuese për ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së Presidentit, duke kaluar nga zgjedhja në Parlament në zgjedhjen e drejtpërdrejtë nga populli.
Një iniciativë e tillë ngre pyetje të rëndësishme për kohën dhe kontekstin politik në të cilin është paraqitur. Në Kushtetutë ekzistojnë edhe dispozita të tjera që ndikojnë në funksionimin e sistemit politik dhe institucional të vendit. Ndër to është edhe struktura e përfaqësimit parlamentar, e cila në disa raste e bën Kuvendin të varur nga grupet e vogla parlamentare të komuniteteve pakicë.
Kjo çështje është e ndjeshme dhe kërkon debat serioz juridik dhe politik. Në këtë kuptim, edhe sistemi i vendeve të rezervuara shpesh shihet si problematik nga perspektiva e demokracisë klasike përfaqësuese, pasi krijon një formë të ashtuquajtur të diskriminimit pozitiv. Në teorinë klasike të demokracisë liberale, koncepti i diskriminimit trajtohet në mënyrë të thjeshtë: ose ekziston diskriminimi ose nuk ekziston. Për këtë arsye, format e diskriminimit pozitiv kanë qenë gjithmonë objekt debatesh të gjera teorike dhe politike.
Presidentja e Republikës është juriste dhe profesoreshë e së drejtës, prandaj është e njohur me këto çështje kushtetuese. Për këtë arsye lind pyetja pse gjatë mandatit të saj nuk është iniciuar më herët një proces më i gjerë i ndryshimeve kushtetuese për dispozitat që konsiderohen problematike për funksionimin e shtetit.
Megjithatë, përgjegjësia për gjendjen aktuale nuk mund t’i atribuohet vetëm një institucioni apo një personi. Përgjegjësi mbajnë edhe Qeveria, grupet parlamentare dhe aktorët e tjerë politikë. Në këtë kuptim, bëhet fjalë për një përgjegjësi të përbashkët për gjendjen e çrregullimit institucional dhe për raportin shpesh problematik ndërmjet pushtetit politik dhe rendit kushtetues.
Në këtë kontekst duhet parë edhe deklarata e Kryeministrit të Kosovës, z. Albin Kurti, i cili ka theksuar se:
“Ne në Qeveri po punojmë dhe po i kryejmë detyrat me ndërgjegje dhe përkushtim si çdo herë””, është shprehur ai.
Gjithashtu, Kelmendi vuri në dukje rëndësinë e forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj dhe për të qëndruar pranë aleatëve ndërkombëtarë.
“Megjithatë, kur Kuvendi nuk funksionon normalisht, kur ekzistojnë tensione ndërmjet institucioneve dhe kur vendi përballet me cikle të shpeshta zgjedhore, deklarata të tilla vështirë se mund të konsiderohen pasqyrim i plotë i realitetit institucional.
Në Kosovë aktualisht vërehet një gjendje krize dhe stagnimi institucional. Shumë procese shtetërore nuk funksionojnë si duhet ose kanë mbetur të papërfunduara.
Për këtë arsye, vendit i nevojitet stabilitet institucional, në mënyrë që të realizohen detyrat themelore të shtetit dhe që vetë shteti të konsolidohet.
Kjo bëhet edhe më e rëndësishme në një kontekst ndërkombëtar të karakterizuar nga tensione dhe konflikte të shumta.
Serbia vazhdon ta kërcënojë Kosovën në mënyrë të vazhdueshme. Për këtë arsye, Republika e Kosovës duhet të forcojë kapacitetet e saj mbrojtëse, në mënyrë që të jetë në gjendje të mbrojë sovranitetin dhe integritetin e saj dhe të qëndrojë krah aleatëve të saj në arenën ndërkombëtare.
Kjo mbetet një nga detyrat themelore të politikës shtetërore”, ka përfunduar Kelmendi.
