Presidenti francez Emmanuel Macron i ka dërguar një letër urimi presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë.
Ai thekson rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, duke kerkuar zbatimin e Marrëveshjeve te Brukselit dhe Ohrit.
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Eshref Ymeri.

Eshref Ymeri
Profesori thotë se përderisa Vjosa Osmani dhe Albin Kurti nuk i kanë shfuqizuar zyrtarisht marrëveshjet e nënshkruara nga Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Edita Tahiri me Serbinë, ato vazhdojnë të mbeten në fuqi. Sipas tij, për këtë arsye Emmanuel Macron dhe mbështetësit e tij do të vazhdojnë të kërkojnë zbatimin e tyre.
“Përderisa Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti, përmes një vendimi të Kuvendit dhe të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Dardanisë, apo përmes një referendumi mbarëpopullor, nuk i kanë hedhur poshtë të gjitha marrëveshjet që Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Edita Tahiri kanë nënshkruar në Bruksel me Serbinë, kundër interesave jetike të popullit dardan, Emmanuel Macron dhe “makronistët” e tjerë brukselistë do të vazhdojnë t’u bien teneqeve të shpuara për zbatimin e tyre”, u shpreh ai.
Duke vazhduar profesori thekson që para se të flasin për normalizimin me Serbinë, Makroni dhe “makronistët” duhet të pyesin pse nuk i është kërkuar Serbisë një pendesë e hapur për krimet e kryera në Dardani gjatë viteve 1990 ndaj popullit dardan.
“Para se të theksojë rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, Makroni dhe “makronistët” duhet të pyesin pse nuk i është kërkuar Serbisë të dalë me një pendesë të fortë para opinionit ndërkombëtar për krimet e kryera në Dardani gjatë viteve 1990: për vrasjet e njerëzve të pafajshëm, për shkatërrimin e 200 mijë shtëpive, për përdhunimin e 20 mijë grave dardane, si dhe për dëbimin nga shtëpitë e tyre të 1 milion qytetarëve”, thotë profesori.
Në fund profesori nënvizon që Macroni, si kryepolitikan i Francës, duhet t’i kërkojë falje kombit shqiptar për politikën e hershme antishqiptare të Francës, të analizuar në studimin tim të 9 shtatorit 2015.
“Macroni, si kryepolitikan i shtetit francez, aleat tradicional i shovinizmit rusomadh dhe serbomadh, duhet t’i kërkojë falje kombit shqiptar për politikën e hershme antishqiptare franceze, të cilën, mbi bazën e fakteve konkrete, e kam trajtuar në analizën me titull “Shqiptarët përballë kulturës dhe politikës franceze”, të botuar në internet më 9 shtator 2015”, përfundoi profesori Ymeri për “Bota sot”.
