Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion në parim e ka votuar Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg. Ndonëse anëtarët e këtij komisioni që vijnë nga pushteti e mbështetën këtë projektligj të cilin e konsideruan si mundësi për të ndal abuzimet në kohë krizash, nga deputetët opozitar u konsiderua si kapje e tregut.
Madje, ishte nënkryetarja e këtij komisioni nga radhët e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Janina Ymeri, e cila duke kundërshtuar këtë ligj e lëshoi edhe mbledhjen.
Votën për projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg e kërkoi nga anëtarët e këtij komisioni edhe vetë ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se ky projektligj synon mbrojtjen e konsumatorit dhe të interesit publik.
Ajo tha se ky projektligj përcakton dy lloje të masave të përkohshme siç janë caktimin e marzhës tregtare për shitjen me shumicë dhe pakicë dhe caktimin e çmimit maksimal të lejuar nga operatorët ekonomikë.
Kusari-Lila: Ky projektligj synon mbrojtjen e konsumatorit
Video
“Ky projektligj ka për qëllim të përcaktojë saktë kornizën ligjore për vendosjen e masave të përkohshme proporcionale për produktet themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, me synimin e mbrojtjes së konsumatorit dhe interesit publik, si dhe vendosjen e një mekanizmi të ri, të pavarur institucional dhe procedural për menaxhimin e situatave që vijnë si rezultat i luhatjeve të theksuara të çmimeve në treg. Gjatë hartimit të këtij projektligji, janë marrë në konsideratë rekomandimet e dhëna në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në lidhje me ligjin paraprak, i cili ishte konsideruar në papajtueshmëri me disa nene të Kushtetutës, konkretisht me nenin 7, nenin 10, nenin 119 të Kushtetutës së Republikës”, tha ajo.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri deklaroi se ky projektligj nuk ka kaluar në konsultime publike, pasi projektligj tjetër u është prezantuar odave, ndërsa, projektligj tjetër ka ardhur në Kuvend.
Ajo kërkoi sqarime nga ministrja e Tregtisë lidhur me pavarësinë e bordit i cili do të emërohet nga Kuvendi i Kosovës dhe do t’i raportojë këtij të fundit lidhur me projektligjin për çmimet tavan.
Si shqetësim ajo paraqiti edhe faktin që ky ligj nuk e përcakton marzhën.
Ymeri pyet se si 5-6 persona do të vendosin për çmimet në treg
“Qysh e parashihni pavarësinë e këtij bordi kur këtë bord e inicion MINT procedurën e rekrutimit dhe përzgjedhjes dhe i dërgon pesë kandidatë. Thotë monitorimin e bënë vetë bordi dhe zbatimin e bënë vetë bordi metodologjinë e bënë vetë bordi, plus nuk e keni caktuar sa shpesh i raporton këtij bordi, pra gjithçka varet nga këta 5-6 njerëz që i zgjidhni ju.. Shqetësimi im është që gjithë kjo mundësi e ndërhyrjes në treg varet nga disa persona edhe çka është me rëndësi pavarësinë që ia keni dhënë vetes me këtë ligj…qysh e përcakton marzhën kur në vetë nenin për marzhën nuk flisni për marzhë“, tha ajo.
Përgjigje për këto pyetje pati e para e Tregtisë në vend, Mimoza Kusari-Lila, e cila theksoi se përzgjedhje e këtij bordi iniciohet nga Qeveria e Kosovës, por për atë vendos Kuvendit i Kosovës.
Kusari-Lila: Përkundër shmangies së procedurave kemi ftuar të gjitha palët e interesuara
“Ne kemi kërkuar shmangie nga procedurat por nuk kemi dashur të mbajmë ligjin në vëmendjen vetëm tonën për atë kemi ftuar të gjitha palët e interesuara… Qeveria inicion procedurën për të gjitha bordet e pavarura në përjashtim të disa bordeve që inicion Kuvendi edhe këtu ministria përcakton dhe përcjell tek qeveria kërkesa për themelim të Bordit pas inicimit të projektligjit dhe si e tillë qeveria i procedon procedurat qeveria i përzgjedh dhe i përcjell Kuvendit për miratim që është situatë e njëjtë me bordin e ZRRE apo cilido autoritet… Llogaritja është nen në vete që parashihet që për produktet e importuara me qëllim të analizës të tregut, vlerësimit apo masave përcaktimi i marzhës apo çmimi maksimal përfshinë çmimin e blerjes së produktit, koston e transportit të llogaritur sipas legjislacionit në fuqi detyrimet doganore ekspedicionin, kostot e ngarkesës, sigurisë së produktit, si dhe kosto tjetër të faturuar lidhur me zhdoganimin e produktit. Ndërsa për produktet vendore, gjithashtu është e paraparë që për qëllim të analizës, vlerësimit të marzhës së përkohshme, vendoset kostoja e prodhimit, kostoja e shpenzimeve të llogaritur sipas legjislacionit në fuqi për të”, tha ajo.
Për caktimin e marzhës foli edhe kryetarja e Komisionit për Ekonomi, Rozeta Hajdari, e cila në qeverinë e kaluar kishte udhëhequr me ministrinë e Tregtisë.
Hajdari: Marzha nuk përcaktohet në ligj
“Marzha nuk përcaktohet në ligj, marzha është një rezultat i procesit dinamik të tregut dhe analizës së tregut për më shumë ministrja Kusari-Lila e përmendi Kushtetutën neni 110 kur Kosovës i ofrohet mundësia të krijoj organet për rregullimin e tregut në rast kur vetë shteti nuk mund ta rregulloj tregun e brendshëm”, tha ajo.
Pakënaqësi për ligjin shprehur deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, e cila tha se nuk voton ligje që synojnë kapjen e tregut.
Ymeri: Nuk votoj kapje të tregut
“Shqetësimi im është tregoni si keni me punua me këtë bord nuk ka kjo të bëjë me partinë tuaj se çdo parti që ma kish sjell këtë kisha mendua që është kapje e tregut nga partia e cila do me qeverisë. Nëse ju i sillni këto propozime unë e shoh mundësinë në Kuvend përkundër këtu nuk marrë pjesë fare në votim jemi në vitin 2026 koha e Shqipërisë ka kaluar moti dhe nuk votoj kapje të tregut”, tha ajo.
Kundërpërgjigje pati ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila duke thënë se koha e Shqipërisë është gjithmonë.
Kusari-Lila: Koha e Shqipërisë nuk ka kaluar ne jemi kalimtar
“Edhe ky ligj është rishkruar, janë marrë për bazë të gjitha komentet, mua më vjen keq që nuk është zonja Ymeri për të vazhduar debatin se ajo e filloi…Koha e Shqipërisë është gjithmonë dhe do të jetë gjithmonë, nuk ka përfunduar koha e Shqipërisë dhe nuk mund të përfundoj ne jemi gjithë kalimtarë koha e Shqipërisë dhe Kosovës do të jetë gjithmonë“, u shpreh ministrja e Tregtisë.
Anëtari i këtij komisioni nga partia në pushtet, Driton Hyseni tha se është e rëndësishme që të Kosova të ketë një normativ ligjore që mbron qytetarët nga abuzimet me çmime në rast destabalizmi.
Karshi ligjit, ai kërkoi mirëkuptim edhe nga partitë opozitare.
Hyseni: Të punojmë që sa ma shpejt ta kemi një normativ ligjore
“Me vonesat që kemi pas me trajtimin në Gjykatën Kushtetuese ne veçse kemi humbur kohë në drejtim të ndihmesës që duhet të bëjmë si institucione në drejtim të mbrojtjes së interesit qytetar….ligji i sjell nga qeveria tani mendoj se edhe ka nevojë që të procedohet sa më shpejte dhe ne si komision ta bëjmë sa më shpejt që është e mundur që të kemi një bazë ligjore që në rast të destabilizimit në treg t’u dalim në ndihmë qytetarëve të vendit dhe në këtë fazë edhe nga opozita duhet ta kemi një mirëkuptim sidomos si rrjedhoj e krizave të mëdha ndërkombëtare që po ndodhin”, tha ai.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani tha se për bordin janë paraparë formulime strikte.
Ramadani: Formulime strikte për bordin
“ Sa i përket bordit prej asaj çka e di, sidomos në bordet e pavarura dhe ekzekutive dhe këtë formulim që e keni bërë e keni bërë shumë strikt dhe mendoj që ka më shumë kritere ndoshta se shumë institucione tjera neni paraqet raport 3 mujor mbi gjendjen e tregut dhe masat e përkohshme të ndërmarra”, theksoi ai.
Qeveria e Kosovës javën e kaluar e ka votuar Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.
