Lajme

​Projektligji për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” kalon pengesën e parë në Kuvend

Kuvendi i Kosovës ka miratuar projektligjin për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Ky projektligj u miratua me 86 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Ministri i Ministrisë për Rini dhe Sport, Blerim Gashani, para deputetëve theksoi se përmes këtij projektligji qeveria do të miratojë shfrytëzimin e fondeve publike për organizimin e Lojërave Mesdhetare në shumën prej të paktën 253 milionë euro.

Grashani: Projektligj është në interes të lartë publik dhe kombëtar

Ky projektligj është në interes të lartë publik dhe kombëtar, i cili përveç forcimit të infrastrukturës sportive dhe zhvillimit ekonomik, e vendos Kosovën në hartën ndërkombëtare si një vend që organizon ngjarje të mëdha, si dhe përfaqëson një investim të rëndësishëm në zhvillimin e të rinjve, avancimin e sportit dhe forcimin e imazhit të shtetit tonë. Ky ligj ka për qëllim përcaktimin e rregullave dhe procedurave, si dhe të detyrave e përgjegjësive të institucioneve shtetërore dhe subjekteve të tjerë në lidhje me organizimin dhe funksionimin e edicionit 21 të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Përmes këtij ligji, qeveria do të miratojë shfrytëzimin e fondeve publike për organizimin e Lojërave Mesdhetare në shumën prej të paktën 253 milionë euro. Ky projektligj rregullon gjithashtu kompetencat e Komitetit Olimpik të Kosovës, të komunës së Prishtinës, si dhe të komunave të tjera, të cilat do të përmbushin obligimet e tyre në raport me organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Duke pasur parasysh që Kosova tashmë ka marrë përsipër organizimin e këtyre lojërave që do të mbahen në vitin 2030, është i domosdoshëm adresimi i një sërë kërkesash obligative, ndër të cilat është krijimi i kushteve sa më të mira për zhvillimin e ngjarjes sportive në vend. Gjithashtu, përmes këtij projektligji do të krijohen mekanizma adekuatë për organizimin e ngjarjes sportive, duke paraparë bashkëpunimin institucional dhe duke siguruar që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për realizimin sa më të suksesshëm të tyre“, theksoi Gashani.

Para votimit, deputetë të opozitës shfaqën vëretjet e tyre mbi këtë projektligj, kryesisht për mëmyrën se si do të menaxhihen fondet e parapara për organizimin e kësaj ngjarje por edhe duke tërhequr vërejtjen për kohën e shkurtër që ka mbetur deri tek koha e zhvillimit të këtyre lojërave përkitazi me nevojën urgjente për investime të mëdha në infrastrukturë.

Lojërat Mesdhetare nuk janë vetëm një aktivitet sportiv, por edhe një platformë e madhe ndërkombëtare që bashkon rreth 26 shtete dhe mijëra sportistë nga tri kontinente. Në këtë kontekst, fakti që edicioni i vitit 2030 do të mbahet në Prishtina e lidh drejtpërdrejt Kosovën me një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive pas Lojërave Olimpike.

Të Ngjashme