
Zyrtarisht është anuluar aktiviteti i prokurimit në kontratën e hartimit të planit të fizibilitetit për ndërtimin e objektit të Presidencës së Republikës së Kosovës.
Vendimi për anulim të procedurës së prokurimit u mor më 29 korrik.
Objekti i Presidencës planifikohej të ndërtohej në zonën e Prishtinës së Re, teksa thirrjes për tenderin për hartimin e planit të fizibilitetit iu përgjigjen tri palë.
Në njoftimin zyrtar të Organit të Prokurimit bëhet e ditur se arsyeja e anulimit të procedurës së prokurimit publik është një dispozitë në Ligjin e prokurimit publik, që ka kërkuar anulimin e aktivitetit.
“Çdo palë e interesuar mund të bëjë ankesë pranë Autoritetit Kontraktues, në bazë të nenit 108/A te ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës se Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04/L-237, ligjin Nr. 05/L-068 dhe ligjin Nr. ligjin Nr. 05/L-092 ne adresën e specifikuar ne Nenin I të këtij Njoftimi mbi anulimin e aktivitetit te prokurimit” thuhet në njoftim.
Aktiviteti i prokurimit për hartimin e planit të fizibilitetit ishte bërë përmes një procedure të hapur, teksa vlera e parashikuar e kontratës ishte 25 mijë euro.
Në fund të muajit korrik u raportua për procedurat tenderuese të nisura nga Presidenca, lidhur me ndërtimin e objektit presidencial.
Kësisoj, Presidenca e Republikës së Kosovës do të shpërngulej nga objekti i Kuvendit, në lagjen Prishtina e Re.
Por, nga Presidenca deklaruan se nuk është kërkuar ndërtimi i një objekti me oborr privat, suita, dhoma private e luksoze, por vetëm hapësira pune dhe pritjeje zyrtare.
“Plani ideor i shpallur për ndërtimin e objektit presidencial nuk e ka marrë aprovimin e presidentes dhe brenda suazave ligjore Presidentja do të kërkojë që ai të revidohet në mënyrë që t’i përshtatet specifikave dhe nevojave reale të Republikës së Kosovës” u tha në reagim të Presidencës.