Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Prokuroria ia kundërshton deklaratën Mustafës, pasi tha që shumica e anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së ishin jashtë vendit

Prokurorja Speciale Clare Lawson, gjatë pyetjeve të saj plotësuese për dëshmitarin Rrustem Mustafa, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën Operative të Llapit, në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, e quajti të pasaktë deklarimin e Mustafës për anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm dhe qëndrimit të tyre jashtë vendit.

Kjo pasi që ajo e pyeti dëshmitarin se Lah Ibrahimi a kishte qëndruar jashtë vendit dhe Mustafa tha se jo, më tej tha edhe se Rexhep Selimi ‘‘ka pas kohë që ka qenë jashtë, po kryesisht ka qenë brenda vendit’’, kurse tha se Fatmir Limaj ka ardhur vonë në shtab por e di se gjatë bombardimeve ka udhëtuar në shtetin shqiptar, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

‘‘Mund të konkludojmë si përfundim se duhet me u korrigjua deklaratën dhe se nuk është e saktë se gjithë anëtarët e shtabit të përgjithshëm kanë qëndruar jashtë vendit’’, tha prokurorja Lawson.

Kurse, dëshmitari Mustafa i ka kthyer përgjigjen se mund të merret si të donë por se shumë nga ata anëtarë ku përmendi Adem Grabovcin, Hashim Thaçin, Kadri Veselin e të tjerë, sipas tij, kanë qëndruar më shumë jashtë vendi sesa brenda.

Paraprakisht, dëshmitari tha edhe njëherë se deri në momentin e Rambujesë nuk e kishin ditur se Azem Syla ishte komandat dhe kërkesën që të bëhej publike nga Shtabi i Përgjithshëm e kishin bërë bashkërisht të gjithë komandantët e zonave.

Duke i lexuar një deklaratë të mëhershme e që Mustafa i pranoi si mendime të tij të përgjithshme për një periudhë e që ishte thënë se Rexhep Selimin ndonjëherë e kishte menduar se është komandant i zonës në Drenicë e ndonjëherë se mund të jetë komandant i përgjithshëm.

Ndërkaq, edhe njëherë tha lidhur me Jakup Krasniqin se e janë drejtuar dhe njohur si zëdhënës të UÇK-së dhe se tek pas luftës i kanë mësuar çështjet tjera.

Ndërkaq, kur nga prokurorja Lawson iu paraqit shënimi ku thuhej nga Sylejman Selimi se ‘‘Jakup Krasniqi me gjithë respektin që kam, nuk është personi i duhur, nuk e meriton postin e zëvendës komandantit’’, dëshmitari u përgjigj se ‘‘këtu po flitet për përfundimet që i kemi dit si komandantë të zonave pas luftës, nuk po më kujtohet po kështu kemi mendu ne komandantët e zonave në atë kohë, nuk e kemi njoft si zëvendës’’.

Më tej ai tha se mund të pranohet që UÇK nuk ishte ushtri e rregullt dhe nuk kishte ndarje të përgjegjësive të qarta si dhe pohoi se zonat ishin në nivelin e dytë të zinxhirin e komandës që ishin sipas tij, përpjekje për organizim më të mirë.