Lajme

Prokuroria: Në Ferizaj e Han të Elezit keqpërdorimi me vota është i ulët

 
   

Prokuroria Themelore në Ferizaj thotë se në këtë komunë, bazuar në raportet e pranuara, e cila përfshin 153 vendvotime, keqpërdorimet me vota kanë rezultuar të jenë në një përqindje të ulët.

“Konkretisht prej 153 vendvotimeve- vetëm një (1) kandidat në të gjitha qendrat ka pasur shtim prej shtatë (7) votash, ndërsa, për kandidatët e tjetër rezulton nga një (1) deri në tre (3) vota”, thotë kjo prokurori.

Gjithashtu kanë treguar se bazuar në raporte, edhe në komunën e Hanit të Elezit përqindja e manipulimeve është gjithashtu e ulët dhe e krahasueshme me atë të Ferizajt.

Ndërkohë thonë se tek komuna e Shtimes, janë evidentuar manipulime në tri qendra të votimeve dhe ka rezultuar me një përqindje pak më të lartë, ku rezulton një numër pak më i madh i shtimit të votave për tre kandidatë prej 10 deri në 45 vota.

“Në lidhje me këto manpulime, është autorizuar Policia e Kosovës që të intervistohen kryesuesit e qendrave të numërimit për komunën e Ferizajt dhe Hanit të Elezit, si dhe komisionerët dhe kryesuesit në cilësinë e të dyshuarve, në komunën e Shtimes”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, sa i përket komunës së Kaçanikut dhe Shtërpcës, Prokuroria thotë se është ende në pritje të raporteve përfundimtare nga ana e Policisë së Kosovës.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, do të vazhdojë me hetime në procedurë të rregullt, deri në intervistimin e të gjithë të dyshuarve, përveç nëse paraqitet ndonjë rrethanë tjetër që kërkon veprime tjera hetimore shtesë. Prokuroria Themelore në Ferizaj, mbetet e angazhuar për mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, dhe do të hetojë çdo rast të dyshuar, me qëllim ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim.

 
 
 
 

 

Të Ngjashme