Prokurori i shtetit, Naim Abazi, në seancën e së enjtës në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj të akuzuarve për sulmin në Banjska, i propozoi gjykatës që të administrojë dy raporte juridike ndërkombëtare nga SHBA-ja.
Këto raporte përmbajnë të dhëna të natyrës teknike dhe të dokumentuara të nxjerra nga sistemet zyrtare në Google dhe Meta që lidhen me llogarinë elektronike të të pandehurit Dushan Maksimoviq.
Prokurori Abazi tha se këto raporte përmbajnë materiale fotografike të ruajtura nga Google Photo, ku shihen armë, municion dhe persona të tjerë të përfshirë në hetim, të dhëna mbi kërkime dhe navigim në territorin e Kosovës përmes Google Maps.
Abazi: Këto raporte përmbajnë të dhëna të natyrës teknike dhe të dokumentuara të nxjerra nga sistemet zyrtarë të Google
“Këto raporte përmbajnë të dhëna të natyrës teknike dhe të dokumentuara të nxjerra nga sistemet zyrtare në Google dhe Meta që lidhen me llogarinë elektronike të pandehurit Dushan Maksimoviq. Këto përmbajnë të dhëna të abonentit, IP adresa për krijimin e llogarisë së tij me origjinë nga Serbia, numri i telefonit për rikuperim shtetëror të Serbisë, aktivizimi i shërbimeve si lokacion, histori që përmban të dhëna nga Google maps, Youtube dhe Android, lista e kontakteve të ruajtura në llogari të tij, ku përfshihen persona të identifikuar më bazë të aktakuzës dhe të akuzuar në këtë proces gjyqësor, materiale fotografike të ruajtura nga Google photo, ku shfaqen armë, municion dhe persona të tjerë të përfshirë në hetim. Po ashtu të dhëna mbi kërkime dhe navigim në territorin e Kosovës përmes Googel Maps, ngase analiza e kontakteve rezulton se ekzistenca e lidhjeve të drejtpërdrejta me të akuzuarit tregon ekzistencën e një rrjeti të komunikimit dhe ndërveprimit mes tyre. Nga analiza rezulton ora e fotografive, ku shfaqen armë dhe municion si dhe fotografi, ku i akuzuari paraqitet në shoqërinë e një rrjeti të komunikimt mes tyre. Këto prova janë siguruar në mënyrë të ligjshme dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare”, tha ai.
Avokati i palës së dëmtuar Naim Rudari, tha se mbështet propozimin e Prokurorisë.
Ndërsa, avokati i të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, Ljubomir Pantoviq kundërshtoi propozimin e Prokurorisë duke thënë se nuk është e mundur të vërtetohet se në çfarë lidhje është i mbrojturi i tij me këto prova.
Pantoviq: Nga kjo aktakuzë s’është e mundur të vërtetohet se në çfarë lidhje është i mbrojturi im me këto prova
“Sa i përket kundërshtimit unë në fillim do të them se në mënyrë të përgjithshme e kundërshtoj provat materiale, të cilat janë të propozuara që të administrohen në këtë shqyrtim. Këtë e bëj për shkak se nga kjo aktakuzë nuk është e mundur duke shikuar në mënyrë objektive që të vërtetohet se në çfarë lidhje është i mbrojturi im me këto prova. Përveç se në një rast ku flitet për gjurmët e barutit në rrobat e tij. Të gjitha të tjerat në shikim të provave që janë të cekura në aktakuzë ka të bëjë vetëm me përshkrimin e mënyrës, në të cilin është arrestuar Blagoje Spasojeviq”, kundërshtoi ai.
Edhe avokati i të akuzuarit Vlladimit Tolliq, Milosh Deleviq kundërshtoi propozimin, sepse, sipas tij, janë të siguruara në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e kodit për procedurën penale.
Deleviq: Provat materiale të Prokurorisë janë të siguruara në kundërshtim me ligjin për procedurën penale
“E kundërshtoj në mënyrë të përgjithshme të gjitha provat materiale të Prokurorisë, sepse janë të siguruara në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e kodit për procedurën penale. Si të tilla, nuk mund të jenë bazë për vërtetimin e fajësisë penale”, tha ai.
I akuzuari Vlladimir Tolliq sa i përket fotografisë tha se është bërë nga vendi i ngjarjes, ku është gjetur nga Policia e Kosovës.
Ai kundërshtoi se nuk ka poseduar armë dhe këtë gjë, sipas tij, mund ta vërtetojnë zyrtarët policorë që e kanë incizuar nga momenti i arrestimit.
Tolliq: Ajo është fotografi e bërë me vetë daljen në vendin e ngjarjes
“Sa i përket fotografisë, e cila është treguar në aktakuzë, ajo është fotografi, e cila është bërë me vetë daljen në vendin e ngjarjes, ku unë jam gjetur. Nga ai moment kur më janë afruar zyrtarët policorë ka qenë incizim dhe fotografim konstant nga një zyrtar policor, ashtu që shpresoj që këto incizime dhe fotografi kanë mbetur tek ata dhe ata mund ta provojnë se unë nuk kam poseduar armën, të ashtuquajturin minahedhës”, tha ai.
Kundërshtime ndaj këtyre provave paraqit edhe avokatja e të akuzuarit, Dushan Maksimoviq, Jovana Fillipoviq.
Ndërsa i dyshuari Dushan Maksimoviq, kërkoi nga gjykata që të shikojë video-incizimet që janë në aktakuzë, që ta vërtetojë pafajësinë e tij.
Maksimoviq: Do të kërkoja nëse është e mundur që të më miratohet që atë provë ta shikoj në prani të avokates
“Unë diku para një viti kam bërë një kërkesë në paraburgim që të më miratohet, që të shikoj video- incizimet që janë në aktakuzë. Nga paraburgimi më kanë njoftuar se duhet aprovimi nga gjykata. Andaj do të kërkoja nëse është e mundur që të më miratohet që atë provë ta shikoj në prani të avokates, në qendrën e paraburgimit, ashtu që të mund më lehtë pranë kësaj gjykate ta vërtetojë pafajësinë time që nuk kam lidhje me ngjarjet e 24 shtatorit”, tha ai.
Në këtë rast, duke u gjykuar në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë, më 24 shtator 2023, janë Dushan Maksimoviq, Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Toliq. Të tre gjenden në paraburgim që nga dita e sulmit terrorist. Sipas Prokurorisë, 45 persona duke përfshirë edhe tre të lartcekurit që janë në paraburgim akuzohen se më 24 shtator 2023 kanë kryer sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit, duke lënë të vrarë zyrtarin policor, Afrim Bunjaku.
Seanca vazhdon nesër në orën 09:30.
