Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar se ish-ministri dhe aktualisht kryetari i Mitrovicës Jugore, Faton Peci, është intervistuar në cilësinë e të pandehurit lidhur me rastin e granteve, ka bërë të ditur zëdhënësja Arbnora Luta.
Hetimet janë ende në zhvillim, ndërsa Prokuroria nuk ka dhënë detaje të mëtejshme. Në anën tjetër, më 27 maj 2025, Faton Peci, ish-ministër i Bujqësisë, tani kryetar i Mitrovicës, u intervistua nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të dyshuarit lidhur me dhënien në shfrytëzim të Fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore. Në cilësinë e të dyshuarit u intervistua edhe kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Bekim Hoxha.
Të dy më pas janë liruar në procedurë të rregullt.
Paraprakisht, Prokuroria Speciale kishte konfirmuar se Policia po kryen bastisje në katër lokacione me urdhër të kësaj Prokurorie. Kurse, prokurori i Prokurorisë Speciale, Admir Shala kishte deklaruar se bastisjet po zhvilloheshin lidhur me hetimet për dhënien në shfrytëzim të Fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.
