Eksperti i sigurisë Gurakuç Kuçi ka reaguar pas një rasti të ndodhur në pikën kufitare Jarinje, ku Policia e Kosovës ndaloi një person me materiale propagandistike.
Sipas tij, në automjetin e një 21-vjeçari u gjetën rreth 900 pamflete me përmbajtje nacionaliste ekstreme, duke e lidhur këtë ngjarje me fushatat propagandistike që, siç thotë ai, Serbia i zhvillon paralelisht në arenën ndërkombëtare, përfshirë edhe në Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Kuçi thekson se raste të tilla tregojnë për një qasje të dyfishtë dhe bën thirrje për vigjilencë nga institucionet e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë.
Shkrimi i plotë:
Nga Serbia drejt Kosovës: Materiale propagandistike të zbuluara në Jarinje
Dje në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Serbia vazhdoi fushatën e saj propagandistike, duke pretenduar se serbët në Kosovë jetojnë nën “terror” dhe duke folur për “paqe e dialog”.
Vetëm pak orë më vonë, sot në orën 01:00 në pikën kufitare Jarinje, policia e Kosovës ndaloi Dusan Bisevac (21 vjeç), me automjet VW Sharan me targa serbe BG2476-DD. Në mjet u gjetën 900 pamflete me përmbajtje nacionaliste ekstreme dhe një sprej.
Kjo ngjarje na kujton menjëherë mjetet propagandistike që u zbuluan pas sulmit terrorist në Banjskë. Ndërsa në OKB Serbisë iu kërkua llogaridhënie për terrorizmin e sponsorizuar, duket se Beogradi jo vetëm që nuk ka hequr dorë nga metoda të tilla, por po i përgatit të reja.
Kur propaganda institucionale në tribunën ndërkombëtare kombinohet me tentativa konkrete provokimesh në terren, kemi të bëjmë me një politikë shtetërore të dyfishtë: një diskurs për audiencën globale, dhe një tjetër për nxitjen e destabilizimit.
Kosova dhe partnerët ndërkombëtarë duhet të mbeten vigjilentë.
Në një kohë gjeopolitike të paqëndrueshme, Serbia ka treguar qartë se vazhdon të bashkëpunojë me aktorë anti-Kosovë dhe nuk ka braktisur logjikën e provokimit dhe konfliktit.
Paqja nuk ndërtohet me fjalë në Nju Jork dhe me sprej e pamflete në Jarinje.
