Qytetarët u mblodhën sërisht sot në ditën e 129-të të protestave kundër investimit të planifikuar në Zvërnec, në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë.
Protestuesit vijuan marshimin përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke kundërshtuar projektin turistik në zonën e Zvërnecit, politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.
Nga foltorja e ngritur para Kryeministrisë, pedagogu Lush Susaj u bëri thirrje shqiptarëve që t’i bashkohen masivisht protestës deri në realizimin e kërkesave të tyre.
“Mos harrojmë që në kushtet që jemi ta heqim llustrën e të flasim hapur, çdo përpjekje për parti është përpjekje mjerane. Është antishqiptare sepse ditën e parë dhe sot e sa të vazhdojë unë do të jem këtu dhe kudo ku bëhet protestë, por dijeni që kemi dalë si qytetarët në një protestë qytetare dhe nuk kemi dalë për parti”, tha Susaj.
Aktivisti Edison Lika u shpreh se qeveria ka mbajtur pushtetin me dhunë duke nënshtruar qytetarët me anë të bandave.
“Kjo protestë është ndalur te çdo pikë që ky pushtet e ka mbajtur veten në këto 13 vite. E ka mbajtur veten me krimin e organizuar që ka vjedhur zgjedhjet dhe ka nënshtruar njerëzit dhe ka mbajtur nën këmbë qytete të tëra. Është kundërshtuar me ngulm qeverisja kriminale”, tha ai.
Ai shtoi se protesta është edhe kundër oligarkisë ekonomike që po zapton çdo hapësirë të lirë për qytetarët.
E nisur më 31 maj në kundërshtim të investimit në Zvërnec, protesta qytetare përgjatë këtyre muajve ka zgjeruar spektrin e kërkesave duke nisur nga anulimi i ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura, tek anulimi i “Paketës së Maleve”.
